OVL-UÇK për protestën në Strasburg: T’i tregojmë Evropës se ishim çlirimtarë, jo kriminelë

12 nëntor 2025 | 12:16

Përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, Fatmir Koci, ka bërë një thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do të mbahet më 16 nëntor në Strasburg, Francë, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Thirrje gjithëpopullore për pjesëmarrje sa më të madhe në Strasburg, Francë, për të dënuar padrejtësitë që po u bëhen krerëve të UÇK-së dhe luftës sonë të shenjtë. Bashkohuni, shqiptarë kudo që jeni, që të dërgojmë një mesazh para Asamblesë Parlamentare të Evropës: ne ishim çlirimtarë, jo agresorë, jo kriminelë. T’i tregojmë botës se ky proces është i fabrikuar nga Serbia dhe Rusia, sepse ne luftuam për lirinë tonë”, tha Koci për Albanian Post.

Protesta e Strasburgut, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), vjen pas një sërë tubimesh që janë mbajtur në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kishte bërë të ditur se protesta në Strasburg do të mbahet më 16 nëntor në orën 13:00. “Kjo protestë do të jetë zëri i drejtësisë për çlirimtarët tanë. Ne nuk do të ndalemi derisa të dëgjohet e vërteta jonë në zemër të Evropës”, kishte thënë tha Gucati në një konferencë për medie.

Protestat e mëparshme janë mbajtur në 5 nëntor para zyrave të EULEX-it në Prishtinë, dhe më 17 tetor në Tiranë, ku nën moton “Liri për çlirimtarët” u mblodhën mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar në prill 2023, ndërsa aktualisht po vazhdon me dëshmitë e mbrojtjes.

Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së dhe organizatat e tjera të dala nga lufta kanë theksuar se këto gjykime përbëjnë një padrejtësi historike dhe se protestat synojnë të dërgojnë një mesazh uniteti mbarëkombëtar për mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe dinjitetit të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në…