
OVL-UÇK: Refuzimi i vizitave në Hagë nga Specialja, akt i ulët dhe i turpshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar duke thënë se po refuzohen vizitat për në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së.
OVL-UÇK thotë se “Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes vendimeve të pashembullta dhe të njëanshme, kanë refuzuar dy kërkesa zyrtare për vizita të përfaqësuesve të OVL UÇK-së te bashkëluftëtarët tanë të burgosur”.
Sipas OVL-UÇK ko qasje është përjashtuese, përçmuese dhe selektive.
Deklarata e plotë:
Refuzimi i vizitave në Hagë,një akt i ulët dhe i turpshëm
Me zemërim të thellë njoftojmë opinionin publik se Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes vendimeve të pashembullta dhe të njëanshme, kanë refuzuar dy kërkesa zyrtare për vizita të përfaqësuesve të OVL UÇK-së te bashkëluftëtarët tanë të burgosur.
Konkretisht:
Vizita e kërkuar më 21 prill 2025 nga z. Fehmi Gucati, z. Hysni Gucati dhe z. Bedri Ahmeti te z. Shala, z. Krasniqi dhe z. Mustafa u refuzua pa asnjë arsyetim të arsyeshëm.
Po ashtu, më 14 maj 2025, u refuzua vizita te z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për të cilët kërkuam të qëndrojmë pranë në mënyrë njerëzore dhe morale.
Gjithashtu, jemi të informuar se edhe z. Rexhep Selimi ka bërë kërkesë për të lejuar këtë vizitë. Kjo kërkesë është ende në procedurë, por ne e dimë mirë çfarë përgjigjeje do të vijë,një tjetër JO, e padrejtë dhe e padenjë.
Kjo qasje përjashtuese, përçmuese dhe selektive, është dëshmi e qartë se Dhomat e Specializuara nuk kanë për qëllim drejtësinë, por poshtërimin e përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës.
Por kjo s’do të ndodhë kurrë!
UÇK-ja nuk izolohet, nuk përkulet dhe nuk hesht!
Kërkojmë urgjentisht që këto vendime të tërhiqen dhe që të ndalet trajtimi çnjerëzor e politik ndaj bashkëluftëtarëve tanë.
Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim të përjetshëm luftëtarëve të lirisë!