OVLUÇK-ja: Behar Preniqi i arrestuar mbrëmë në Serbi nuk ishte pjesë e UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), ka konfirmuar se Behar Preniqi, i cili është arrestuar mbrëmë nga autoritet serbe nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë për “Kosovapress” se Preniqi nuk figuron në emrat e listave të arkivave të kësaj organizate.
“Në dokumentacionet tona në organizatë të veteranëve ai nuk është as anëtar as nuk ka dosje, te ne nuk ka. Te ne ai nuk ka dokumentacion se është veteran i UÇK-së, mua më vjen keq sepse ai është qytetar i Kosovës, por te ne nuk është në evidenca”, ka thënë Gucati.
Behar Preniqi është ndaluar nga autoritetet serbe nën arsyetimin e krimeve të luftës duke pretenduar se ai ishte pjesë e UÇK-së.
Raportohet se Preniqi është arrestuar në Bajakovo në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë.
Pretendimet e autoriteteve serbe se Behar Preniqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i ka hedhur poshtë edhe familja e tij, duke potencuar se Preniqi në kohën e luftës në Kosovë ishte i mitur rreth moshës 16- vjeçare.



