
OVLUÇK-ja falënderon qytetarët për pjesëmarrjen në protestë, paralajmëron vazhdimin e fushatës diplomatike kundër Speciales
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur mirënjohje për qytetarët, strukturat e kësaj organizate nëpër komuna, partitë politike, sindikatat, shoqërinë civile dhe mediet për mbështetjen në protestën kundër Gjykatës Speciale
Në një konferencë për medie, ai ka thënë se OVLUÇK-ja ka zhvilluar një fushatë diplomatike duke takuar përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe do të takojë edhe ditëve në vijim.
“OVLUÇK-ja ka bërë një fushatë diplomatike me kërkesa të qarta tek shumë autoritete ndërkombëtare me ndikim: kongresistëve amerikanë, deputetëve të Parlamentit Evropian, pothuajse të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe tani jemi duke vazhduar prapë me takime me ambasadat mike që janë në Kosovë. Fillimisht kemi qenë në Parlamentin e Zvicrës, kemi takuar ambasadën e Gjermanisë, Suedisë dhe kanë konfirmuar për takime edhe shumë ambasada të tjera. Të hënën do të jemi te ajo turke, pastaj e Zvicrës, pastaj në Zyrën e BE-së. Tek të gjitha këto institucione ne i kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me Gjykatën Speciale. Kërkesat tona që dalin nga kjo protestë, por edhe nga aktiviteti ynë në rrafshin diplomatik, janë të ditura. Duam që kjo gjykatë të monitorohet nga institute apo organizma të tjerë, sepse kjo gjykatë nuk i jep llogari askujt. Përderisa nuk kemi institucione, nuk kemi kujt t’i adresohemi me kërkesa”, ka thënë ai.
Gucati ka paralajmëruar se sapo të formohet Kuvendi i Kosovës, OVLUÇK-ja do të kërkojë miratimin e rezolutës, e cila është kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Mbështesim kryeministrin Edi Rama për rezolutën që do ta nxirrte Kuvendi ynë”, ka thënë Gucati.