OVLUÇK-ja i kundërpërgjigjet Mickoskit: Protesta e 13 dhjetorit do të jetë paqësore, dramatizimi politik është i panevojshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili paralajmëroi formimin e një “shtabi krize” për protestën e 13 dhjetorit në Shkup.
Në një deklaratë për medie, OVLUÇK-ja ka theksuar se protesta do të jetë plotësisht paqësore, qytetare dhe demokratike. “Kjo është protestë në mbrojtje të dinjitetit tonë dhe kundër padrejtësive në Hagë, pa asnjë prapavijë partiake”, është thënë në reagim.
Veteranët e UÇK-së kanë kritikuar Mickoskin për, siç kanë thënë, tendencën e paraqitjes së tubimit si rrezik për sigurinë publike.
“Deklaratat e kryeministrit Mickoski për formimin e një ‘shtabi krize’ vetëm sa krijojnë tensione të panevojshme dhe përpiqen ta paraqesin një tubim demokratik si rrezik”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
OVLUÇK-ja ka siguruar qytetarët se protesta është e koordinuar dhe garanton qetësi, duke bërë thirrje që institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut të mos e politizojnë të drejtën e protestës.
“Liria e shprehjes dhe e tubimit është e garantuar, dhe ne do ta ushtrojmë atë me përgjegjësi dhe dinjitet”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.



