OVLUÇK-ja: Kosova s’guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën jetike me ShBA-në

12 shtator 2025 | 16:16

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është shprehur e shqetësuar me pezullimin e dialogut strategjik nga ShBA-ja.

Përmes një reagimi, kjo organizatë ka bërë fajtor presidenten dhe kryeministrin në detyrë për këtë veprim.

Sipas tyre, Kosova nuk guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën e saj jetike me ShBA-në.

“Ne shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen e përhershme të ShBA-së për Kosovën dhe theksojmë se kjo marrëdhënie është jetike dhe e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Për fat të keq, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë treguar papërgjegjësi të jashtëzakonshme dhe dëmprurëse. Me arrogancën e tyre politike, me retorikën e papërgjegjshme dhe me veprimet që shkelin mbi interesin strategjik të Kosovës, ata kanë rrënuar raportet me partnerin tonë kryesor. Sot Kosova po paguan çmimin e egoizmit të tyre, të cilët në vend që të jenë shërbyes të popullit, janë shndërruar në pengues të së ardhmes së shtetit”, është thënë në reagim, duke kërkuar unitet.

“Në këtë moment kritik, OVLUÇK-ja apelon për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën e saj jetike me SHBA-të. Luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, sot jemi ushtarë të përkushtuar të aleancës me Amerikën. OVL UÇK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka reaguar…