OVLUÇK-ja me program të veçantë shënon 28-vjetorin e ‘Epopesë së UÇK”-së, publikon edhe logon
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pas refuzimit për të marrë pjesë në Këshillin shtetëror për organizimin e “Epopesë së UÇK”-së ka hartuar vetë një program për shënimin e kësaj ngjarje.
Kjo organizatë ka njoftuar se sot (e mërkurë) është mbajtur takimi i parë i Këshillit të tyre Organizues për organizimin e manifestimit me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë takim u formua edhe grupi punues, i përbërë nga kryetarët e degëve të OVLUÇK-së, të cilët do të jenë përgjegjës për koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve në nivel qendror dhe lokal. Takimi u kryesua nga Hysni Gucati, dhe gjatë mbledhjes u shqyrtua në detaje organizimi i manifestimit treditor, me theks të veçantë në ndarjen e detyrave, përgjegjësive dhe koordinimin ndërmjet degëve”, ka njoftuar OVLUÇK-ja.
Pas diskutimeve dhe konsultimeve të përbashkëta, OVLUÇK-ja ka theksuar se Këshilli organizues ka miratuar logon zyrtare të manifestimit dhe propozon për aprovim këtë agjendë të aktiviteteve.
Agjenda e Këshillit Organizues për shënimin e “Epopesë së UÇK”-së:
5 mars:
Pritje për vizitorët në Zyrën Qendrore, si dhe në të gjitha degët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Ftohen institucionet arsimore që orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë Epopesë së UÇK-së.
6 mars:
Homazhe në ora 09:30 tek Kompleksi Memorial në Prekaz.
Homazhe në ora 10:00 tek Kompleksi Memorial në Marinë.
Në të njëjtën kohë, homazhe do të mbahen nga strukturat e dala nga lufta e UÇK-së në të gjitha komplekset memoriale në mbarë.
7 mars:
“Nata e Zjarreve”, ndezja simbolike e zjarreve në shtatë ish-zonat operative të UÇK-së, në ora 18:00.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka vendosur të mos jetë pjesë e organizimit shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, duke thënë se thirrjen që e morën nga kjo ministri më shumë i ngjau “një urdhërese administrative sesa një ftese për bashkëpunim të barabartë institucional”.






