
OVLUÇK-ja: Në burgun e Dubravës në vitin 1999 u pushkatuan mizorisht shqiptarët nga forcat serbe
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka përkujtuar të rënët në burgun e Dubravës nga data 19 deri më 22 maj të vitit 1999.
Në një postim në “Facebook”, OVLUÇK-ja ka bërë me dije se mbi 130 shqiptarë të pambrojtur ishin pushkatuar mizorisht nga regjimi serb, ndërsa mbi 200 të tjerë u lanë të përgjakur në mes të ferrit.
“U vranë në radhë, me duart e lidhura dhe sytë që nuk panë më dritë. Jo sepse kishin faj, por sepse ishin shqiptarë. Në të njëjtën ditë, në Vushtrri ndodhi një tjetër tmerr, masakra e 22 majit”.
“Burra, gra, fëmijë e pleq u ndalën në rrugë dhe u shfarosën pa mëshirë. Trupat e tyre u zhdukën, u groposën në tokën e huaj, në varreza masive në Serbi, dhe vetëm pas shumë vitesh disa prej tyre u kthyen si eshtra, për të prehur në vendlindje”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
OVLUÇK-ja ka thënë se masakra e Dubravës nuk është thjesht ngjarje e së kaluarës, por është plagë e një populli që ende nuk ka marrë drejtësi.