OVLUÇK-ja paralajmëron veprime: Nëse deri më 26 korrik nuk ka konstituim të Kuvendit, nuk do të rrimë duarkryq

18 korrik 2025 | 16:08

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së u kanë bërë thirrje partive, sidomos partisë së parë, për zgjidhjen e situatës politike.

Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në konferencë për medie, ka thënë se 48 tentimet e dështuara për konstituim tregojnë mungesë të vullnetit politik për zgjidhje.

“Organizata e Veteranëve të Luftës, Shoqata e Invalidëve të Luftës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, apo kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së po e ndjekin me shqetësim të madh ngërçin e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kjo situatë e krijuar së fundmi, ku janë bërë 48 tentime për konstituim, tregon qartë se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga ky bllokim institucional”, ka thënë Syla.

Ai ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese ka caktuar afatin përfundimtar për konstituim më 26 korrik 2025 dhe ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtij vendimi përbën shkelje të Kushtetutës.

“Ne si kategori të dala nga lufta e UÇK-së u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, me theks të veçantë partisë së parë që ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për konstituimin e institucioneve, sepse kjo situatë është e papranueshme për ne si kategori të dala nga lufta. Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë juridik në vend, ka dhënë një vendim të qartë: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet deri më 26 korrik 2025. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk po kërkojmë privilegje. Ne nuk po kërkojmë favore politike. Ne po kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq nëse nuk ka reflektim”, ka thënë Syla, duke shtuar se Kosova është ndërtuar me gjak dhe nuk do të lejohet që kjo sakrificë të nëpërkëmbet.

“Nëse ky vend nuk funksionon mbi bazën e Kushtetutës, atëherë për çfarë kemi luftuar ne? Nëse institucionet nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kush tjetër duhet t’i respektojë ato para tyre? Shteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë individ, qoftë ai edhe Kryeministër. Nëse deri më 26 korrik nuk ka reflektim nga partitë politike për ta zgjidhur këtë situatë, ne si kategori të dala nga lufta e UÇK-së nuk do të qëndrojmë duarkryq. Kosova është ndërtuar me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të këtij populli, dhe ne nuk do ta lejojmë askënd të nëpërkëmbë këtë sakrificë”,  ka thënë Syla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prani të familjarëve, kolegëve dhe miqve në vendprehjen e…