OVLUÇK-ja i reagon Speciales për seancën e 28 nëntorit: Fyerje dhe shpërfillje e realitetit historik
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër për seancën e 28 nëntorit, e cila është planifikuar të mbahet në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit.
Kjo organizatë ka theksuar se një veprim i tillë është fyerje dhe përbën shpërfillje ndaj realitetit historik të shqiptarëve.
Reagimi i plotë:
OVLUÇK-ja, shpreh indinjatën dhe zhgënjimin e thellë për faktin që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar mbajtjen e një konference përgatitore ndaj ish-Presidentit të vendit, z. Hashim Thaçi, pikërisht më 28 Nëntor, ditën më të shenjtë të historisë sonë kombëtare.
28 Nëntori është dita kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, duke shënuar ringritjen e shqiptarëve, është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit tonë Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për ne, kjo datë nuk është vetëm një simbol kombëtar, është një identitet i tërë, i mbështetur mbi gjak, sakrificë dhe krenari.
Për OVLUÇK-në, mbajtja e një seance gjyqësore në këtë datë përbën fyerje të ndjenjave tona kombëtare dhe shpërfillje të realitetit historik të popullit të Kosovës. Kjo zgjedhje e panevojshme dhe e pakuptimtë vetëm sa e thellon bindjen se Dhomat e Specializuara vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie dhe një qasje të njëanshme ndaj historisë sonë çlirimtare dhe ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri.



