Owada: Ajo që është arritur në Kosovë është triumf njerëzor

20 qershor 2025 | 12:29

I nderuari me titullin, “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, ish-kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kohën kur kjo gjykatë lëshoi opinionin se pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk i ka shkelur ligjet ndërkombëtare, Hisashi Owada, ka thënë se ajo që është arritur në Kosovë është triumf njerëzor, e jo fitore ndërmjet kombeve.

Juristi i njohur globalisht i së drejtës ndërkombëtare, tash me titullin më të lartë të nderit nga UP-ja ka mbajtur ligjëratë me temën “Përse Luftë – një Reflektim mbi Rendin Publik të Komunitetit Ndërkombëtar”.

“Profesor Hisashi Owada e konsideroi dëshirën për pushtet, të vendosur thellë në mendjen njerëzore, si njërën nga forcat që pengojnë përpjekjet për paqe. Profesori i nderuar duke kujtuar dialogun e viteve ’30 mes fizikanit Albert Einstein dhe psikoanalistit Zigmund Freud për problemet më të theksuara të njerëzimit, konstatoi se gjërat edhe sot nuk kanë ndryshuar aq shumë që nga ajo kohë”, është thënë në njoftimin e shpërndarë nga Universiteti i Prishtinës.

Kjo ligjëratë, sipas UP-së nga profesori Owada është përmbyllur me konkludimin se nuk është pesimist, meqenëse njerëzimi gjatë historisë ka arritur rezultate dhe ka mësuar nga gabimet.

Owada ka falënderuar Universitetin e Prishtinës për nderimin që iu bë dhe të gjithë personat që ndihmuan një proces të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shishja përmbante gjithashtu një kartëmonedhë dy dollarëshe nga viti 1974...…