Pa opozitën nuk ka marrëveshje me Serbinë

23 korrik 2020 | 10:44

Analisti politik Behxhet Shala ka bërë me dije se marrëveshja finale me Serbinë nuk mund të arrihet pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se me përbërjen aktuale koalicioni qeverisës nuk ka fuqi politike dhe numerike për ta arritur marrëveshjen me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka deklaruar se nuk mund të merret asnjë vendim i një rëndësie të veçantë për Kosovën duke lënë anash 54 deputetë shqiptarë.

“Është e pamundur që të bëhet dialogu pa një konsensus të partive më të mëdha shqiptare. Pra, është e pamundur të vazhdojë dialogu i Brukselit dhe të arrihet një marrëveshje duke e lënë jashtë këtij procesi LV-në dhe PDK-në që kanë 54 deputetë shqiptarë. Në këto kushte nuk mund të merret asnjë vendim i një rëndësie të veçantë për Kosovën”, ka thënë ai.

Shala ka deklaruar se për hir të interesit kombëtar subjektet politike duhet të arrijnë një konsensus rreth procesit të dialogut me Serbinë. Sipas tij, nëse do të ndodhte bashkimi i subjekteve politike për këtë çështje, kjo do të ndikonte edhe në cilësinë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi.

“Për shkak të interesit kombëtar dhe shtetëror është mirë që subjektet më të mëdha politike në vend, LV-ja, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma të bashkohen për këtë çështje. Në këtë mënyrë këta ta kenë fjalën përfundimtare në dialogun Kosovë – Serbi. Kjo do të ishte në të mirë të Kosovës sepse, edhe nëse do ta kundërshtonin marrëveshjen, kundërshtimi do të ishte më i fuqishëm dhe faktori ndërkombëtar do ta merrte shumë më seriozisht kundërshtimin e Kosovës”, ka thënë Shala.

Ai ka folur edhe për mundësinë e mbështetjes së këtij procesi nga PDK-ja. Sipas Shalës, kjo do të varet nga epilogu i akuzave të Speciales ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. “Nëse aktakuza konfirmohet, situata do të ndryshojë rrënjësisht. Atëherë domosdoshmërisht do të bëhet një ridizajnim i skenës politike të Kosovës. Pra, do të kemi një situatë që edhe PDK-ja do të përfshihet në qeveri dhe do të bëhet pjesë e dialogut. Nuk ka kuptim që PDK-ja ta përkrahë marrëveshjen me Serbinë duke qëndruar në opozitë”, ka deklaruar Shala.

“Epoka e re”: Z. Shala, Qeveria e Kosovës ka rifilluar dialogun me Serbinë? Si e shihni vazhdimin e këtij procesi pa mbështetjen e opozitës?
Shala: Është e pamundur të bëhet dialogu pa një konsensus të partive më të mëdha shqiptare. Pra, është e pamundur të vazhdojë dialogu i Brukselit dhe të arrihet një marrëveshje duke e lënë jashtë këtij procesi LV-në dhe PDK-në, që kanë 54 deputetë shqiptarë. Në këto kushte nuk mund të merret asnjë vendim i një rëndësie të veçantë për Kosovën. Nëse këto parti do të bëheshin pjesë e dialogut, kjo do të mund të ndikonte edhe në cilësinë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi dhe më pas edhe do të votohej në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe nuk mund të kalojë asnjë marrëveshje në Kuvend përderisa janë në opozitë LV-ja dhe PDK-ja. Në këtë proces presidenti është nxjerrë nga loja qëllimisht prej Gjykatës Speciale dhe rolin kryesor në këtë proces e mori kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka pak gjasa të përballet me Vuçiqin, i cili është një politikan i rryer, që ka përkrahje të madhe në Serbi dhe ndikim në arenën ndërkombëtare. Kurse Avdullah Hoti, përkundër vullnetit dhe dëshirës që ta përfaqësojë mirë Kosovën në këtë proces, ai nuk e ka konsensusin e brendshëm për ta vazhduar dialogun. Në këtë mënyrë është në një pozitë krejtësisht të pafavorshme përballë Serbisë. Me publikimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit, Kosova është vënë në pozitë krejtësisht inferiore në këtë proces. Tani Serbia është fuqizuar dhe kam një frikë se kjo situatë mund ta sjellë Kosovën që të pranojë çdo gjë që i ofrohet në këtë proces, e jo ajo që është në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Epoka e re”: BE-ja po insiston në dialog teknik, ndërsa qeveria ka thënë se me Serbinë do të ketë vetëm dialog politik.
Shala: Me Serbinë nuk ka pasur, nuk ka dhe asnjëherë nuk do të ketë dialog teknik. Me Serbinë, edhe nëse flasim për dardha dhe molla, ajo është çështje politike. Kjo ka qenë një shpikje krejtësisht e panevojshme, sepse nuk mund të ketë sukses në dialogun teknik nëse nuk është arritur marrëveshje politike. Këto janë përralla. Pavarësisht se kush shkon në Bruksel, Skender Hyseni apo dikush tjetër, me Serbinë kemi vetëm bisedime politike.

 “Epoka e re”: Mirëpo dy partitë opozitare nuk po bëhen pjesë e procesit, madje ato po i refuzojnë ftesat e kryeministrit për forumin e partive politike.
Shala: Lëvizja Vetëvendosje e ka një qëndrim për bisedime, por kjo parti ende ka hatërmbetje se pse ia kanë rrëzuar qeverinë, edhe vendorët, por edhe ndërkombëtarët. Ndërsa PDK-ja nuk ka ndonjë qëndrim të vendosur as për të mos u bërë pjesë e dialogu e as për t’u bërë pjesë e këtij procesi.

“Epoka e re”: Ky qëndrim i PDK-së, a nënkupton se mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës?
Shala: Kjo krejt varet prej epilogut që do të ketë propozimaktakuza e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Nëse aktakuza konfirmohet, situata do të ndryshojë rrënjësisht. Atëherë domosdoshmërisht do të bëhet një ridizajnim i skenës politike të Kosovës. Pra, do të kemi një situatë që edhe PDK-ja do të përfshihet në qeveri dhe do të bëhet pjesë e dialogut. Nuk ka kuptim që PDK-ja ta përkrahë marrëveshjen me Serbinë duke qëndruar në opozitë.
Nëse kjo ndodh, atëherë edhe pa votat e LV-së mund të ratifikohet marrëveshja e mundshme me Serbinë. PDK-ja është në një pozitë që tash për tash më shumë ka nevojë LDK-ja për PDK-në sesa kjo fundit për LDK-së. Sepse LDK-ja me këtë koalicion qeverisës nuk mund ta arrijë asnjë marrëveshje, madje kemi parë që nuk po mund ta kalojë as buxhetin e lëre më ta ratifikojë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Por, nëse PDK-ja dhe LV-ja bëjnë ndonjë marrëveshje në opozitë, shumë shpejt mund të kemi zgjedhje të reja. Mirëpo gjithë jemi dëshmitarë që as faktori ndërkombëtar e as partitë e tjera në Kosovë nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja. Sepse dihet që në zgjedhje do të fitonte LV-ja, por nuk do të fitonte sa po mendojnë ata.

“Epoka e re”: A do të ishte në rregull të arrihet marrëveshja finale me Serbinë duke anashkaluar partinë më të madhe në vend?
 Shala: Kjo për mua nuk do të ishte normale, sepse nuk mund ta arrish një marrëveshje finale me Serbinë duke lënë anash 30 deputetë shqiptarë. Në anën tjetër, edhe LV-ja nuk duhet të këmbëngulë vetëm në qëndrimet e veta. Nëse kemi pranuar t’i bëjmë bisedimet me Serbinë, atëherë duhet ta bëjmë një ekip për të negociuar, i cili duhet të synojë që dëmet në këtë proces të jenë sa më të vogla dhe të mos preken sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës.

“Epoka e re”: Në këtë situatë, si duhet të reagojnë institucionet dhe partitë politike në Kosovë?
Shala: Për shkak të interesit kombëtar dhe shtetëror është mirë që subjektet më të mëdha politike në vend, LV-ja, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, të bashkohen për këtë çështje. Në këtë mënyrë këta ta kenë fjalën përfundimtare në dialogun Kosovë – Serbi. Kjo do të ishte në të mirë të Kosovës sepse edhe nëse do ta kundërshtonin marrëveshjen, kundërshtimi do të ishte më i fuqishëm dhe faktori ndërkombëtar do ta merrte shumë më seriozisht kundërshtimin e Kosovës. Me përbërjen aktuale të koalicionit qeverisës askush nuk do t’i marrë seriozisht në procesin e dialogut. Kështu që, është shumë vështirë të mendohet se me këtë përbërje mund ta arrihet marrëveshje me Serbinë e cila përcakton ardhmërinë dhe fatin e Kosovës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike e Kosovës thotë se e mirëpret miratimin e…