Pa ShBA-në, BE-ja s’mund t’i japë epilog dialogut Kosovë – Serbi

18 qershor 2020 | 11:13

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka deklaruar se ShBA-ja dhe BE-ja nuk janë në garë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili do të rifillojë së shpejti. Ai ka bërë me dije se ShBA-ja dhe BE-ja kanë koordinim të ngushtë për këtë çështje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se çështjen e Kosovës BE-ja nuk mund ta zgjidhë pa ndihmën e fuqishme të ShBA-së. “Mendoj se roli i BE-së dhe ShBA-së në këtë proces është komplementar. BE-ja definitivisht nuk mund ta zgjedhë këtë problematikë pa mbështetjen amerikane. Bile në rastin e Kosovës, BE-ja është aktore me kredibilitet të humbur për faktin se ka udhëhequr një proces shumë sensitiv, në shumë raste edhe me gabime të bëra nga lidershipi i Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar arsyet pse BE-ja e ka bërë veten aktore të pabesueshme në këtë proces. “Fatkeqësisht, BE-ja asnjëherë nuk i ka dhënë asnjë lloj mbështetje Kosovës, përveç mbështetjes financiare që u është dhënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e lënë kështu Kosovën të vetmin shtet me regjim të vizave. Pra, nëse flasim për problematika kaq të thjeshta, atëherë vërtet është e pabesueshme që BE-ja do të ketë fuqi për t’i dhënë epilog përfundimtar dialogut Kosovë – Serbi”, është shprehur ai. Sipas Hotit, serioziteti dhe efikasiteti i ShBA-së në këtë proces është parë në arritjen e tri marrëveshjeve të fundit ndemjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell.

Ai ka ftuar spektrin politik të Kosovës që të tregojë unitet dhe përgjegjshmëri në këtë proces. “Mendoj se është momenti i fundit që të gjithë të tregojnë përgjegjshmëri në këtë proces. Nuk është çështje e zgjedhjes së tyre, por çështje e obligimit kombëtar për të përmbyllur këtë proces. E kundërta do të na ballafaqonte me situata të pakëndshme dhe me atë që ne e njohim si kompromis të vazhdueshëm”, ka thënë Hoti.

“Epoka e re”:  Z. Hoti, pas krijimit të kushteve për rifillim të dialogut, BE-ja dhe ShBA-ja kanë filluar përgatitjet për takimet mes palëve. Si e shihni rolin e ShBA-së dhe të BE-së në këtë proces?
Hoti: Nuk ka dilema se tani po flasim për një dinamikë të përshpejtuar të këtij procesi  dhe një momentum të ri, i cili është trumbetuar tash e sa kohë. Rrethanat e këtij momentumi pa dyshim i ka krijuar qeveria e z. Haradinaj, me vendosjen e tarifës ndaj mallrave serbe, e cila, pos të tjerash, ka krijuar rrethana të reja në kuptimin e ngritjes së vetëdijes ndërkombëtare që problemit të Kosovës t’i jepet një drejtim.  Ndërsa tani heqja e tarifës dhe reciprocitetit definitivisht shënon një etapë të re në këtë proces, e cila është marrë shumë seriozisht nga dy aktorët globalë. Serbia dhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe çfarëdo zgjidhje në mes tyre duhet të kalojë përmes mekanizmave të BE-së. Mirëpo një zgjidhje e tillë nuk mund të bëhet pa një mbështetje të fuqishme, pa një plan, pa një strategji të detajuar, mbrapa të cilit qëndron ShBA-ja, në krye me presidentin Trump dhe të dërguarin e tij, z. Grenell.

 “Epoka e re”: Është fituar një përshtypje se nuk po shihet një koordinim në mes të ShBA-së dhe BE-së për këtë proces. Mund të kemi një proces të pakoordinuar në mes të këtyre aktorëve?
Hoti: Në dukje mbase mund të kemi një përfytyrim se po flasim për dy procese të ndara, por në bërthamën e këtij procesi mendoj e kemi një koordinim të ngushtë  në mes të BE-së dhe ShBA-së. Deshëm apo nuk deshëm ta pranojnë, BE-ja është edhe formalisht lehtësuese e procesit të negociatave dhe, siç dihet, kjo është bërë tashmë një parakusht formal për të dyja vendet për ecjen e tyre në rrugën e anëtarësimit në BE. Mirëpo për shkak të pozicionit paska të brishtë të BE-së, ndihma e ShBA-së në këtë proces është e pakontestueshme. Një vendosmëri e administratës aktuale për t’i dhënë fund një herë e përfundimisht këtij procesi, mendoj se është kuptuar seriozisht edhe nga Brukseli. Në këtë drejtim mendoj se po flasim për veprime të dy aktorëve, të cilët synojnë një përfundim të përbashkët të këtij procesi.  Pra, besoj fuqishëm se kemi koordinim të ngushtë të ShBA-së dhe të BE-së për ta përmbyllur këtë proces.

“Epoka e re”: Pra, nuk shihni ndonjë garë në mes të ShBA-së dhe BE-së për këtë proces se kush do të tregohet më i suksesshëm?
Hoti: Mendoj se roli i BE-së dhe i ShBA-së në këtë proces është komplementar. BE-ja nuk mund ta zgjidhë këtë problematikë pa mbështetjen amerikane. Bile në rastin e Kosovës, BE-ja është aktore me kredibilitet të humbur për faktin se ka udhëhequr një proces shumë sensitiv, në shumë raste edhe me gabime të bëra nga lidershipi i Kosovës. Fatkeqësisht, BE-ja asnjëherë nuk i ka dhënë asnjë lloj mbështetje Kosovës, përveç mbështetjes financiare që u është dhënë të  gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e lënë kështu Kosovën të vetmin shtetet  me regjim të vizave. Pra, nëse flasim për problematika kaq të thjeshta, atëherë vërtet është e pabesueshme që BE-ja do të ketë fuqi për t’i dhënë epilog përfundimtar dialogut Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim, një mbështetje e fuqishme amerikane është më se e nevojshme dhe kjo tashmë është dëshmuar përmes marrëveshjeve që janë nënshkruar deri më tani, marrëveshje këto të nënshkruara në mënyrë shumë të përshpejtuara dhe efikase. E kam fjalën për tri marrëveshjet e fundit të arritura me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenelli. Kjo qasje amerikane nuk është kuptuar drejt vetëm nga Kosova, por edhe nga lidershipi serb, i cili po e merr këtë çështje në mënyrë serioze. Dy aktorët kryesorë globalë janë të kyçur në proces dhe sigurisht se në fund do të ketë diçka serioze.

“Epoka e re”: Cila duhet të jetë qasja e lidershipit institucional dhe atij politik në Kosovë ndaj këtij procesi?
Hoti: Vendet e vogla si Kosova asnjëherë gjatë historisë e as sot nuk e kanë komoditetin e zgjedhjes. Ne nuk jemi faktor përcaktues dhe, nëse nuk jemi të tillë, atëherë duhet të bëhemi faktor bashkëpunues. Historia jonë është e lidhur ngushtë me ShBA-në dhe asnjë zgjidhje nuk do të ishte kredibile dhe e besueshme nëse prapa saj nuk qëndron fuqishëm aleatja jonë kryesore, ShBA-ja. Këtu do të ishte për keqardhje nëse një pjesë e pushtetit apo pjesë të caktuara të opozitës të bënin ndarje të tilla mes BE-së dhe ShBA-së. Ne duhet ta përshëndesim iniciativën e fuqishme amerikane për ta përmbyllur këtë proces. Nëse në krah të kësaj iniciative vendoset edhe BE-ja, me shpresë se kësaj here do të jetë vërtet serioze, atëherë mendoj se po flasim për zhvillime interesante  dhe për një momentum i cili duhet të shfrytëzohet.

“Epoka e re”: Në bazë të kësaj që po thoni i bie se i gjithë spektri politik duhet të marrë përgjegjësi në këtë proces?
Hoti: Mendoj se është çasti i fundit që të gjithë të tregojnë përgjegjshmëri në këtë proces. Nuk është çështje e zgjedhjes së tyre, por çështje e obligimit kombëtar për ta përmbyllur këtë proces. E kundërta do të na ballafaqonte me situata të pakëndshme dhe me atë që ne e njohim si kompromis të vazhdueshëm. Keni parë se Kosova në secilin stad të negociatave që ka marrë pjesë, ka thënë se, ‘meqenëse po e hapim edhe këtë kapitull, atëherë sigurisht se na pret edhe një kompromis tjetër në raport me Serbinë’. Të gjitha këto kanë ardhur si rrjedhojë e mungesës së unitetit politik për t’i thënë një herë e përfundimisht fund kësaj qasje. Sot ne nuk kemi çka flasim për kompromise. Mund të flasim vetëm për njohje reciproke, me aranzhime të caktuara politike dhe juridike për minoritetet në Kosovë. Tani nuk mund të flitet për aranzhime që do ta cenonin direkt ose indirekt sovranitetin apo integritetin e Kosovës. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi pozitë dhe opozitë të bashkuar dhe me një zë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri Ederson pas një aksioni të Arsenalit, del nga zona…