Pacientët me skizofreni pa terapi: mungon Haloeridoli në ShSKUK

21 gusht 2025 | 19:51

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) po vazhdon mungesa e disa medikamenteve esenciale, përfshirë edhe ato që përdoren për trajtimin e pacientëve me skizofreni. Aktualisht, nuk gjenden në dispozicion Haloeridol 50 mg/ml dhe Haloeridol 5 mg/ml, barnat që janë të domosdoshme për stabilizimin e gjendjes së këtyre pacientëve.

Mungesa e barnave nuk është një problem i ri. Qendrat Rajonale të Spitaleve të Kosovës prej kohësh përballen me situata të ngjashme, duke lënë shumë pacientë pa trajtim të rregullt. Kjo ka ngritur shqetësime serioze, pasi ndërprerja e terapisë te personat me skizofreni mund të shkaktojë përkeqësim të shëndetit mendor, rikthim të simptomave dhe rrezikim të sigurisë së tyre dhe të të tjerëve.

Për shkak të kësaj gjendjeje, familjarët e pacientëve janë të detyruar që këto barna t’i sigurojnë në barnatore private, shpeshherë me çmime të larta, pavarësisht se Haloeridoli bën pjesë në listën e medikamenteve esenciale që duhet të sigurohen nga sistemi publik shëndetësor. Kjo jo vetëm që rëndon buxhetin familjar, por krijon edhe pabarazi në qasje, pasi jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për t’i blerë vetë këto ilaçe.

Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë, pacientët me skizofreni rrezikojnë të mbeten pa trajtimin e duhur, gjë që përbën sfidë serioze për mjekët dhe institucionet shëndetësore në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista Srpska nuk është certifikuar për të marrë pjesë në…