Pacolli e pranon se Qeveria është e dobët

06 prill 2018 | 20:32

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ka pranuar se Qeveria Haradinaj është e dobët dhe se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai në një intervistë në “RTV 21”, ka deklaruar se fakti që qarqet qeveritare flasin për zgjedhje tregon se qeveria është dobësuar.

“Qeveria është mjaftë e dobësuar për shkak se vetë çarqet qeveritare flasin për zgjedhje, por unë nuk dua të paragjykoj. Do të ishte mëkat që kjo qeveri të mos ecën përpara për shkak se Haradinaj ka investuar jo vetëm energjinë e vetë por edhe shpirtin në këtë punë”, ka deklaruar Pacolli.

Ai më tej ka thënë se koalicioni qeverisës është i ndjeshëm dhe i cili ndoshta edhe shantazhohet.

“Është një koalicion shumë i ndjeshëm i cili ndoshta edhe shantazhohet nga të tjerët dhe më dhimbset proaktiviteti i kësaj qeverie. Gjithmonë ndodhë diçka, gjithmonë në shërbim të punës. Mendoj se do të ishte keq t’i ndalej puna”, ka thënë Pacolli.

Lideri i AKR-së ka pranuar se zgjedhjet janë në duar të opozitës.

Pacolli i ka bërë ftesë partive nga opozita që t’i bashkohen Qeverisë Haradinajt.

“Më duket se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë në duart e opozitës. Kosova mund të shkojë në zgjedhje. Unë do të ftoja një parti prej opozitës që t’i bashkohet qeverisë, nëse janë patriotë të tregojnë se Kosova nuk mund të jetë e varur prej një liste [Listës Serbe]. I bëj ftesë kujtdo t’i çojmë proceset përpara, kushdo që rreh gjoks dhe thotë se është patriot”, ka thënë Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, e ka…