Pacolli: Hapja e ambasadës japoneze do të thellojë marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Japoni

27 gusht 2019 | 17:06

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ambasadorin japonez në Vjenë, jorezident për Kosovë, Kiyoshi Koinuma, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që të dyja vendet gëzojnë, dhe për nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve.

Në këtë takim është diskutuar edhe vizita shtetërore që presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do ta zhvillojë në Japoni muajin e ardhshëm, dhe për pritshmëritë për rezultatet konkrete të kësaj vizite.

Hapja e ambasadës japoneze në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm ishte temë diskutimi, për të cilën zëvendëskryeministri Pacolli është shprehur i bindur që do të ndikojë pozitivisht në thellimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, dhe në të njëjtën kohë ofroi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në të gjitha etapat.

Zëvendëskryeministri Pacolli e ka njoftuar ambasadorin Koinuma edhe me ecurinë e themelimit të Parkut të Biznesit Japonez, i cili do t’i ofrojë bizneseve japoneze kushte të favorshme për investime në Kosovë.

Në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, ambasadori Koinuma e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Pacolli për iniciativën e kryeministrit japonez, Shinzo Abe, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kuadër Ambasada japoneze në Vjenë do të organizojë forumin ekonomik për promovimin e investimeve në Kosovë në fillim të muajit tetor.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe tema e dialogut me Serbinë, për të cilën Japonia është e interesuar që të mbarojë sa më parë, dhe njëherit përkrahë fuqishëm anëtarësimin e Republikës së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

Në fund, zëvendëskryeministri Pacolli e ka falënderuar ambasadorin japonez për pritjen e mirë që Japonia i ka bërë ekipit kosovar të xhudos.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetmir Topalli ka thënë për “Epokën e re” se pas…