Pacolli kërkon hetim urgjent nga SPAK për Aeroportin e Vlorës: Terminali u uzurpua nga grupe kriminale
Presidenti i MABCO-s, Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje publike Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të nisë menjëherë një hetim të plotë mbi atë që ai e cilëson si një skandal të rëndë në Aeroportin e Vlorës.
Në një reagim publik, Pacolli deklaron se pas më shumë se dhjetë muajsh bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe që ai i quan kriminale, kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj kanë mundur të rikthehen në ambientet e punës.
Sipas tij, aktualisht po kryhet inventarizimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe, ku përfshihen vandalizëm, vjedhje dhe shkatërrime të pajisjeve, instrumenteve dhe inventarit të projektuar dhe instaluar për funksionimin e aeroportit.
Pacolli pretendon se gjatë kësaj periudhe janë cenuar rëndë prona private, siguria e investimeve dhe rendi juridik, ndërsa ngre dyshime se veprimtaria e grupeve të përfshira mund të jetë mbështetur ose toleruar nga individë me lidhje institucionale. Ai shprehet se në raste të caktuara është tentuar edhe ndikimi në procese gjyqësore.
Presidenti i MABCO-s kërkon nga SPAK një hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet e ndodhura, duke theksuar se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë pa marrë parasysh pozitën apo ndikimin e tyre.
Ai gjithashtu u bën thirrje institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e punonjësve dhe kompanive kontraktuese, si dhe të ndërmarrin masa për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë”, thuhet në reagimin e Pacollit.
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Pacollit:
Të dashur qytetarë,
Të dashur vlonjatë,
Ju, qytetarë të nderuar, keni të drejtën të informoheni mbi të vërtetën. Fatkeqësisht, ende nuk jeni njohur me gjendjen reale në Aeroportin e Vlorës. Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani.
Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.
Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese.
Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve. Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sot, në emër të ligjit, të drejtësisë dhe të besimit që qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë tek institucionet e shtetit, i bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë.
Është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda, të cilat kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e investimeve.
Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë.



