Pacolli në Forumin Ndërkombëtar të Ujit në Stamboll: Kosova po forcon zërin në diskutimet globale për mjedisin
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në detyrë, Fitore Pacolli është duke marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Ujit në Stamboll, ku po përfaqëson Kosovën së bashku me liderë dhe vendimmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pjesëmarrja në këtë forum të nivelit të lartë tregon rritjen e peshës diplomatike të Kosovës në diskutimet globale për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e burimeve ujore.
Gjatë fjalës së saj, Pacolli ka theksuar se burimet ujore nuk përbëjnë vetëm pasuri natyrore, por edhe një element të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Forumi shërben si platformë bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe integrimin e ekspertizës ndërkombëtare në politikat për mbrojtjen e lumenjve dhe ekosistemeve.
Pacolli ka shprehur gjithashtu falënderim për Ministrin e Turqisë, İbrahim Yumaklı, për ftesën dhe mikpritjen ndaj delegacionit të Kosovës.



