Pacolli reagon pas bastisjeve në Agjencinë Kadastrale të Kosovës: Do t’i luftojmë abuzimet me pronat publike

06 maj 2026 | 13:46

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka deklaruar se për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime dhe sipas saj, edhe elemente të krimit të organizuar në tjetërsimin e pronave publike.

Ajo ka thënë se mijëra hektarë tokë dyshohet se janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë këto raste, e në disa situata, sipas saj, edhe kanë kontribuar në këtë fenomen.

Pacolli ka theksuar se që nga marrja e detyrës ka ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e problemit, përfshirë emërimin e drejtorit të ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe kërkesën për rishikimin e rasteve të dyshimta.

Ajo gjithashtu ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, duke e cilësuar atë si të vonuar, por të mirëpritur dhe të mbështetur plotësisht.

“Për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, deri në elemente të krimit të organizuar, në tjetërsimin e pronave publike. Mijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen. Që nga marrja e detyrës si ministre, kam ndërmarrë hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, duke emëruar drejtorin e ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe duke kërkuar rishikimin e rasteve të dyshimta. Ne jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis. Dua të përshëndes aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Ndonëse i vonuar, ky veprim është i mirëpritur dhe ka mbështetjen tonë të plotë. Si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi në dispozicion për të ndihmuar me çdo informacion dhe bashkëpunim të nevojshëm për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e ligjshmërisë në këtë institucion”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, është përcjellë sot…