Paga e 13-t, Murati: Opozita po përhap dezinformata për të krijuar pakënaqësi
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj disa lajmeve të përhapura në rrjetet sociale dhe portale për pagën e 13-të, duke i cilësuar ato si dezinformata që synojnë të krijojnë pakënaqësi te qytetarët.
Në një postim në “Facebook”, Murati ka theksuar se paga e 13-t është e paraparë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, por ka rikujtuar se ky ligj nuk mori votat e partive opozitare.
“Paga e 13-t është e paraparë në ligjin e buxhetit për vitin 2026. Por siç e dinë të gjithë, ligjin e buxhetit për vitin 2026 nuk e votuan PDK/LDK/AAK–Nisma”, ka shkruar ai.
Murati ka shtuar se është “për keqardhje që, në mungesë të një programi të mirëfilltë, opozita po shpërndan rrena të vazhdueshme, me shpresën se ato do të krijojnë pakënaqësi ndaj qeverisë”.



