Paga e 13-të
06 nëntor 2025
| 15:07
Shkruan: Dardan Sejdiu
Çdo iluzion e ka një fund. Dhe në fund, mbetet pyetja që populizmi nuk mund ta shmangë: kush do ta ndërtojë realitetin e ri?
Një ditë, një qeveri në detyrë vendos të shpërblejë të gjithë punëtorët e sektorit publik me “pagën e 13-të”. Një ide që tingëllon si drejtësi, shpërblim për punëtorët e administratës së shtetit. Por në thelb, është shembull klasik i një ekonomie që ushqehet me iluzione. “Paga e 13-të” nuk është reformë, është politikë që blen vota me para publike, pa plan, pa drejtim dhe pa mandat. Kështu fillon rënia e mendimit zhvillimor dhe çdo logjike ekonomike.
Kosova është vend i vogël. Dhe përkundër dëshirës e fetishit kolektiv me ndërtu tregime të mëdha, ato s’ndodhin. Vendet e vogla nuk shemben me kriza të mëdha, por me premtime që duken bujare. Nuk ka dramë të menjëhershme, por një lodhje sistematike që atrofon çdo muskul zhvillimor.
Thënë troç, paga e 13-të nuk është vetëm e papërgjegjshme ekonomikisht, është edhe cinike politikisht. Jo pse punëtorët e sektorit publik s’e meritojnë pagën më të mirë, por pse një qeveri në detyrë, që e di se s’ka mandat për vendime të tilla, po përdor buxhetin e shtetit për të blerë vota në prag zgjedhjesh. Premton dhurata me para që nuk i përkasin asaj, në një kohë kujdestarie, shpërndan vitra për efekte elektorale. Kjo s’është politikë ekonomike, është marketing politik. Një përpjekje për ta paraqitur qeverinë si bujare e sociale, ndërkohë që po e përdor instrumentin e fundit të shtetit, buxhetin, për qëllime partiake. Dhe kjo është mënyra më e sigurt për ta prishë lidhjen mes punës e shpërblimit, mes meritës dhe pagës.
Një ekonomi e vogël si e jona s’mundet me përballu luksin e populizmit. “Paga e 13-të” mund të duket e padëmshme, por efekti i saj është i shumëfishtë: rrit konsum pa prodhim, shtyn kërkesën drejt importeve dhe e deformon perceptimin e drejtësisë ekonomike. Ajo nxit idenë e rrezikshme që shteti ekziston vetëm për të shpërnda para, jo për të krijuar kushte për zhvillim. Dhe ky veprim s’e forcon ekonominë, e dobëson atë, sepse paratë e njëhershme nuk ndërtojnë struktura të qendrueshme, por vetëm blejnë kohë.
Nëse qeveria do të shpërblente punën, do ta bënte përmes reformës: me paga që maten sipas performancës, produktivitetit e ndikimit. Do të ndërtonte sisteme që vlerësojnë vlerën e punës, jo praninë në zyrë. Një shtet që shpërblen të gjithë në mënyrë të barabartë, pa dallim performance, dërgon mesazhin e gabuar, se përpjekja e puna e mirë s’kanë peshë, e as përgjegjësi.
Kjo “paga e 13-të” s’është shpërblim, por anestetik. Është mënyra si pushteti e shtyn përballjen me realitetin, me ekonominë që s’po prodhon, me investimet që s’po ndodhin, me sektorin privat që po ngulfatet. Një shtet që s’ka rritje produktiviteti s’mund të shpërblejë përtej mundësive pa rrezikuar stabilitetin. Dhe kur një qeveri e di këtë, por e bën prapë, ajo s’po qeveris, po manipulon. Po ndërton tregime fiktive, jo shtet. Ironia më e madhe është që çdo euro që shpërndahet sot, kthehet nesër si presion mbi çmime. Në ekonomi, iluzioni ka çmim, dhe gjithmonë paguhet nga qytetarët.
Efekti i këtij vendimi nuk ndihet në administratë, por në ekonominë reale. Rreth 20% e të punësuarve në Kosovë janë në sektorin publik, ndërsa mbi 70% në sektorin privat, pjesa që prodhon, eksporton dhe mban gjallë zhvillimin. Kur një qeveri në detyrë shpërblen veten me “pagën e 13-të”, pa asnjë lidhje me produktivitetin, ajo dërgon sinjalin më të keq në treg: që puna s’matet me rezultat, por me privilegj. Bizneset private, që përballen me marzha të vogla fitimi, kosto të larta të energjisë dhe konkurrencë nga importet, nuk mund ta ndjekin këtë ritëm artificial. Si pasojë, punëtorët më të aftë po largohen.
Vetëm gjatë viteve 2021–2024, mbi 140 mijë qytetarë janë larguar nga vendi, ndërsa më pak se 30 mijë janë kthyer. Ky është eksodi më i madh i kapitalit njerëzor që Kosova ka përjetu në paqe, një zbrazje që kjo politikë iluzionesh s’e ndal. Ajo që po fillon si “shpërblim” për disa, përfundon si padrejtësi për shumicën.
Çdo iluzion e ka një fund. Dhe kur ky iluzion thehet, mbetet pyetja që populizmi s’mund ta shmangë: kush do ta ndërtojë realitetin e ri? Sepse pas çdo ekonomie të iluzioneve vjen një moment llogarie, dhe një nevojë e re për drejtim. Dhe aty fillon historia tjetër, ajo e ndërtimit, e vizionit dhe e seriozitetit. Aty fillon “Paradigma e Re e Kosovës.”



