Pakënaqësi me të zgjedhurit e Kurtit në Telekom, dorëhiqet bordi i drejtorëve

23 tetor 2025 | 12:27

Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës që u zgjodhën në korrik të vitit të kaluar, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Gazeta Insajderi nga burime të saja brenda ndërmarrjes publike kanë marrë vesh se arsyet e dorëheqjes kanë qenë pakënaqësitë e krijuara me menaxhmentin aktual në Telekomit të Kosovës, ku bëjnë pjesë kryeshefja, Burbuqe Hana dhe zyrtari kryesor i financave, Feim Kelmendi.

Insajderi ka kontaktuar para dy javësh Telekomin e Kosovës për ta pyetur fillimisht me dorëheqjen e kryesuesit të bordit, Petrit Nahin, si dhe arsyet e dorëheqjes. Të njëjtit një ditë pas dërgimit të pyetjes në adresë të tyre, kanë thënë se s’e kanë një informacion të tillë.

“Ju kërkoj falje për përgjigjen e vonuar, por po prisja një përgjigje nga z. Nahi. Nuk është praktikë e Zyrës për Komunikim të vonojë përgjigjet por deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga z. Nahi”, ka thënë Fadil Lepaja, drejtues i Zyrës për Komunikim në Telekom.

Mediumi i është drejtuar sërish me pyetje dje Zyrës për Komunikim, mirëpo s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Nahin në telefon për ta pyetur për dorëheqje, por i njëjti s’ka pranuar ta komentojë.

Insajderi po ashtu ka dërguar pyetje edhe për anëtarët e tjerë të bordit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Nahi në profilin e tij në ‘Linkedin’ ka bërë të ditur se eksperienca e tij si kryesues i bordit të drejtorëve është nga korriku i 2024-ës, kur edhe është zgjedhur, deri në tetor të këtij viti.

Qeveria Kurti më 24 korrik të 2024-ës kishte zgjedhur bordin e ri të Telekomit të Kosovës, të përbërë prej: Petrit Nahi- kryesues; Rrezarta Pllana- anëtare; Sajmie Thaçi- anëtare dhe Lindita Toçi- anëtare. Mandati i Bordit të Drejtorëve në Telekomin e Kosovës është tre-vjeçar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka…