
Paketa e 18-të e sanksioneve ndaj Rusisë, Merz: Gjë e mirë, dobësojnë kapacitetin e Rusisë për luftë
Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka reaguar në lidhje me aprovimin e paketës së 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke thënë se “ato po e mbajnë Rusinë nën presion”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Merz ka thënë: “Është një gjë e mirë që ne në BE kemi rënë dakord për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Ato synojnë bankat, energjinë dhe industrinë ushtarake. Kjo dobëson aftësinë e Rusisë për të vazhduar financimin e luftës kundër Ukrainës. Ne po e mbajmë presionin mbi Rusinë”.
Kujtojmë se paketa u njoftua më herët nga kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, e cila e ka cilësuar këtë si një nga paketat më të forta deri sot.
“Ne po qëndrojmë të palëkundur. BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të fuqishme të sanksioneve ndaj Rusisë deri më sot. Po i ulim edhe më tej buxhetin e luftës së Kremlinit, duke vendosur masa ndaj edhe 105 anijeve të flotës së fshehtë, bashkëpunëtorëve të tyre dhe duke kufizuar më tej qasjen e bankave ruse në financime”, ka shkruar Kallas në “x”.
Ndryshe, para tri ditësh dështoi miratimi i sanksioneve, shkaku i Sllovakisë.