Paketa e ndihmave kundër pandemisë bllokohet përsëri në Senat
Senati nuk arriti përsëri të enjten të miratojë një paketë të re ndihmash në përgjigje të koronavirusit, një tjetër dështim në një seri negociatash të pasuksesshme për t’u ofruar mbështetje miliona amerikanëve të goditur nga pandemia.
Propozimi prej 500 miliardë dollarësh i prezantuar nga republikanët nuk arriti të kalojë në fazën e debatit pasi mori 52 vota pro dhe 47 kundër. Avancimi i projektligjit kërkon mbështetje me 60 vota.
Dështimi shton shanset që ligjvënësit të mos arrijnë të miratojnë paketën e ndihmave para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Anëtarët e Kongresit pritet të largohen nga Uashingtoni për fushatat zgjedhore në shtetet përkatëse, pasi arritën miratimin e një rezolute që mundëson financimin e operacioneve të qeverisë federale pas afatit të 30 shtatorit.
Dështimi i së enjtes nënkupton që miliona amerikanë që kanë humbur punën nga mbylljet e imponuara nga pandemia në pranverë nuk do të marrin asistencë federale për papunësinë, transmeton VOA.
Në bazë të ligjit me mbështetje dypartiake që lëvroi një paketë prej 3 trilionë dollarësh, ata që kishin humbur punën merrnin 600 dollarë në javë si asistencë papunësie. Kjo ndihmë përfundoi në fund të korrikut.
Propozimi i republikanëve në Senat premtonte të mbulonte pagesat për asistencë papunësie, koston e çerdheve dhe kopshteve për fëmijët si dhe testet e koronavirusit dhe do të ofronte mbrojtje nga paditë gjyqësore për bizneset, shkollat dhe objektet e kultit që hapen gjatë pandemisë.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e cilësoi kundërshtimin e demokratëve ndaj propozimit si një përpjekje për të politizuar ndihmën përpara zgjedhjeve të nëntorit.



