
Pakistani për CNN: Kemi rrëzuar dy aeroplanë të Forcës Ajrore Indiane
Ushtria pakistaneze pretendon se ka rrëzuar dy aeroplanë të Forcës Ajrore të Indisë gjatë një përplasjeje ajrore pranë kufirit ndërmjet dy vendeve.
“Dy aeroplanë të Forcës Ajrore Indiane janë rrëzuar – këtë mund ta konfirmoj,” deklaroi zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, gjeneralleitnant Ahmed Sharif Chaudhry, për CNN. “Ka raportime edhe për dëme të tjera që forcat pakistaneze, si nga toka ashtu edhe nga ajri, kanë shkaktuar. Por mund t’ju konfirmoj se të paktën dy aeroplanë janë rrëzuar,” shtoi ai.
CNN nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Chaudhry se avionët indianë janë rrëzuar. Mediat po presin përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes e Indisë.
Sipas Chaudhry, përplasja ajrore ka ndodhur në afërsi të zonave Bhatinda dhe Akhnoor. Ai shtoi se përplasjet mes dy forcave ajrore janë ende në vazhdim.
Bhatinda ndodhet në shtetin indian të Punjab-it pranë kufirit me Pakistanin, ndërsa Akhnoor gjendet në territorin indian të Jammu dhe Kashmir-it.