Forcat pakistaneze të sigurisë iu kundërpërgjigjën “zjarrit të paprovokuar” nga forcat e talibanëve në Afganistan në disa pika përgjatë kufirit Pakistan – Afganistan të enjten, tha Ministria e Informacionit e Pakistanit.
Kjo ministri tha në rrjetin X se forcat talibaneve hapën zjarr përgjatë disa sektorëve në provincën Khyber Pakhtunkhwa dhe se trupat pakistaneze dhanë “një kundërpërgjigje të menjëhershme dhe efikase”, duke shkaktuar pasoja të rënda në njerëz e duke shkatërruar shumë pika e pajisje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më herët të enjten, Afganistani tha se kishte nisur operacione sulmuese kundër pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Të hënën, Kombet e Bashkuara thanë se së paku 13 civilë u vranë dhe shtatë të tjerë ishin lënduar nga sulmet ajrore pakistaneze në pjesën lindore të Afganistanit.