Palatova: Kosova të përshpejtojë reformat dhe funksionalizimin e institucioneve, 880 milionë euro në pritje
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka lansuar Indeksin e Politikave për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ku u theksua rëndësia e reformave ekonomike, mbështetjes për bizneset dhe përshpejtimit të integrimit me standardet evropiane.
Eva Palatova, ushtruese e detyrës së shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, por theksoi nevojën për përshpejtim të reformave dhe funksionalizim të institucioneve.
“Të gjithë pajtohemi se zhvillimi i një sektori privat të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për zhvillimin socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Po ashtu pajtohemi se NVM-të dhe sipërmarrësit janë shtytës kyç të rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, krijimit të vendeve të punës, zhvillimit të aftësive dhe inovacionit. Kjo është arsyeja pse diskutimi i sotëm i nivelit të lartë mbi politikat që mund të forcojnë më tej konkurrueshmërinë dhe produktivitetin e NVM-ve dhe të krijojnë mjedise më miqësore për bizneset e vogla dhe të mesme ka kaq shumë rëndësi”, tha ajo, duke shtuar se në kuadër të Planit të Rritjes gjatë tre viteve janë të gatshme të investohen në Kosovë 880 milionë euro në këmbim të reformave.
“Kosova ka paraqitur një agjendë ambicioze reformash në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit biznesor. Kjo fushë e agjendës së reformave përfshin shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa që synojnë promovimin e investimeve dhe eksporteve, një kornizë rregullative më të thjeshtuar dhe efektive dhe, në fund, nxitjen e inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse”, tha ajo.



