Pallati Elize reagon për videon ku Zonja e Parë qëllon Macronin

26 maj 2025 | 14:36

Zyra e presidentit francez Emmanuel Macron ka reaguar për herë të parë pas incidentit të ndodhur në bordin e avionit presidencial, ku Zonja e Parë Brigitte Macron u filmua duke shtyrë dhe qëlluar presidentin francez.

Presidenca franceze tentoi të “minimizonte” incidentin përmes një zyrtari të “Élysée-së” i cili tha se ishte një moment afrimiteti mes çiftit.

Zyrtari mohoi se bëhej fjalë për ndonjë debat mes çiftit, që janë të martuar që prej vitit 2007.

“Ishte një moment kur presidenti dhe bashkëshortja e tij po relaksoheshin për herë të fundit përpara nisjes së udhëtimit, duke qeshur së bashku”, u shpreh ai.

Në videon që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, Brigitte Macron shfaqet duke e shtyrë presidentin përpara se ai të zbriste nga avioni presidencial të dielën në mbrëmje.

Në video shihet Macron i cili bën një hap pas dhe kupton që dera e avionit ishte e hapur, në atë moment ai me sportivitet përshëndet personat që e prisnin në aeroportin e Vietnamit.

Vizita e Macron në Vietnam, e para nga një president francez pas gati një dekade, ka si synim rritjen e ndikimit të Francës në këtë ish-koloni.

Vietnamit, me një ekonomi të bazuar kryesisht në eksporte, i është dashur të bëjë lëshime ndaj Shteteve të Bashkuara në negociatat tregtare për të shmangur tarifa deri në 46%. Megjithatë, Brukseli ka shprehur shqetësim se përpjekjet e Vietnamit për të blerë më shumë mallra amerikane mund të dëmtojnë interesat evropiane.

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të premten me vendosjen e tarifave 50% ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, por e zbuti qëndrimin dy ditë më vonë, duke rikthyer afatin e 9 korrikut për negociatat mes Uashingtonit dhe Brukselit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor ka zgjedhur gjyqtarin suprem Afrim Fidani për kryetar…