Pallati Elysee zbulon kërcënimin e Putinit në telefonatën me Macronin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se ai do t’i vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë gjatë një telefonate 90-minutëshe të iniciuar nga Putini.
Kështu u ka thënë gazetarëve të enjten një burim i Pallatit Elysee.
Putini dhe Macroni kanë pasur “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh mbi situatën rreth Ukrainës”, ka thënë shërbimi për shtyp i Kremlinit të enjten, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Një raport nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve “RIA-Novosti” është thënë se diskutimi ishte i vështirë, me Putinin që pretendonte se Ukraina kishte kryer një “sabotim shtatëvjeçar” të marrëveshjeve të Minskut, një proces paqeje që përfundimisht u zhbë nga qeveria ruse, në njohjen e fundit të dy republikave separatiste në lindje të Ukrainës.
“Kjo bisedë është për fat të keq një rast për të dëgjuar se presidenti Putin do t’i vazhdojë ndërhyrjet ushtarake dhe do të shkojë deri në fund”, ka thënë burimi i Elysee-s.
“Thirrja i lejoi presidentit të Republikës t’i kthehej mosmarrëveshjeve që i kemi me Rusinë, të kërkonte alternativë diplomatike ndaj operacioneve ushtarake, t’ia tregonte të vërtetën presidentit Putin për mënyrën se si ne e shohim luftën e tij në Ukrainë, por edhe pasojat që do të ketë për Rusinë në terma afatgjatë”, ka thënë ky burim.
Të dy palët janë pajtuar ta mbanin të hapur derën e dialogut, raporton “CNN”.
Putini gjithashtu ka mohuar se e ka bombarduar Kievin dhe ka paralajmëruar se situata do të përkeqësohet, por sipas tij është faji i Ukrainës.
Në përgjigje, Macroni e ka paralajmëruar Putinin se ai po bën një gabim të madh, sipas burimit. Macroni ka përsëritur se kërkesat e Moskës për neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës janë të papranueshme dhe përgjegjësia e këtij konflikti bie tërësisht mbi Putinin.
Por, Macron i ka thënë se ka ende kohë për diplomaci dhe dialog për t’i adresuar shqetësimet e Rusisë dhe për t’i përfshirë interesat e Rusisë; megjithatë, diskutimi nuk mund të ndodhë “nën kontrollin rus” dhe duhej të organizohej nga partnerë ndërkombëtarë, sipas burimit.
Gjithashtu, Macroni ka kërkuar nga Putini ta respektojë presidentin ukrainas, familjen e tij, të afërmit, zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e zgjedhur, sipas burimit.
Pas telefonatës së tij me Putinin, Macroni ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.



