Pallati i Rinisë do të rinovohet në vlerë prej 50 milionë euro për Lojërat Mesdhetare
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë me dije se Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do t’i nënshtrohet një rinovimi të plotë me vlerë prej 50 milionë eurosh, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.
Investimi përfshin edhe sallën e djegur, duke synuar funksionalizimin e plotë të objektit në shërbim të sportistëve, artistëve dhe të rinjve të vendit.
“50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë”, ka deklaruar Çeku në “Facebook”.
Ai ka njoftuar se në bazë të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime, tashmë janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, hap i domosdoshëm për nisjen e punimeve.
Sipas ministrit, ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të ndërtuar një model modernizimi dhe funksionalizimi të plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit.
“Po krijojmë një model të ri për Pallatin e Rinisë, që i përgjigjet nevojave bashkëkohore dhe i kthen këtij objekti rolin që i takon në jetën sportive, kulturore dhe rinore të vendit”, ka shkruar Çeku.



