Pamfleti politik i Dimal Bashës dhe Jana Arsovskës

24 shtator 2025 | 15:53

Shkruan: Hasan Mujaj

Shkrimi i këtyre koautorëve nuk është i rastësishëm. Jo. Ai është nergut i porositur dhe mbase i paguar nga politika e Beogradit zyrtar. Se ky konstatim është aksiomë, dëshmohet edhe nga disa terma propagandistikë të marrë nga mediet në gjuhën serbe në të cilat ( medie ) kanë përdorim shumë të dendur që nga koha e daljes në skenë të hapur e UÇK-së dhe vazhdojnë të përdoren edhe sot si p. sh.: “UÇK-ja organizatë që u financua nga grupet kriminale, terroriste, nga trafikantë të drogës, nga shitja e organeve të njerëzve etj.
Këto epitete të politikës serbe për UÇK-në i kanë miratuar, i kanë shpërndarë, i kanë shpënë përpara dhe i kanë përkthyer edhe në gjuhën angleze ata që o janë kukuvriqë në politikë, o janë laro të shpërblyer në mënyra të favorshme nga burimet serbe që e shesin veten për një kockë.
Dimal Basha, pasi provoi të mohojë se është autor i shkrimit në të cilin UÇK-ja paraqitet si organizatë e financuar nga trafikantë të drogës dhe të krimeve të ndryshme, kërkoi falje; për çka kërkoi falje? Për shkrimin është fjala. Ky veprim do të thotë se, në një mënyrë, e pranoi se është autor i tekstit politik antikombëtar. Ai vazhdon me kundërvënie: “Nuk jam autor i shkrimit.” “Nuk kam qenë i kujdesshëm.”
Përmbajtja e tekstit në hulumtim është miratim i politikës serbe për UÇK-në. Është dëshmi e pakontestueshme dhe e padiskutueshme se të gjitha të ashtuquajtura “prova” që Gjykata i pranon nga prokurorët serbë, janë përralla popullore variantesh të ndryshme dhe jashtë realitetit.
Politika e A. Vuçiqit, kohën e fundit, në fjalimet e tij zyrtare, e spikati veçanërisht shkrimin në vëzhgim dhe, i solidarizuar, e kishte vlerësuar lart përmbajtjen e këtij pamfleti madje e kishte kualifikuar si përforcim e vërtetim të shumë shkrimeve të medieve në gjuhën serbe që e kishin paraqitur dhe përshkruar UÇK-në si organizatë të krimeve dhe të lidhur me trafikantë të drogës në Kosovë dhe në mërgatë.
Ajo ( politika e Vuçiqit ) theksoi veçanërisht se shqiptarët vetë po e pasqyrojnë UÇK- në si të këtillë. Si argument, i referohet shkrimit Basha-Arsovska si dëshmi se kush ishte UÇK-ja.
Me këtë shkrim, të ngjashëm me shkrimet dhe fjalimet antishqiptare të zyrtarëve më të lartë serbë, Dimal Basha nuk ka të drejtë etike, historike, juridike, kombëtare, ushtarake, atdhetare etj. të jetë në krye të institucionit më të lartë ligjvënës të Republikës së Kosovës.
Prandaj, OVL-ja dhe UÇK-ja, me shumë të drejtë, e kërkojnë dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ato, për vizitën e D. Bashës në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari “ në Prekaz, deklaruan se ai shkoi në Prekaz pas orarit të punës pasi e ka ditur se nuk do t’i lejohej vizita; e ka ditur se si e ka quajtur UÇK-në.
Me gjithë përpjekjet e Bashës për ta fshehur bashkërendimin me antishqiptaren Arsovskën ndesh UÇK-së, të dhënat sa vijnë e shtohen se të dy, si koautorë, flamurtaren e lirisë së Kosovës, UÇK-në, e quajtën “ organizatë të krimit dhe të trafikantëve të drogës.” ( Nacionale, më 11. 9. 2025 ).
Bashkëpunëtorja maqedonase e Bashës kishte botuar edhe veprën “Dekodimi i krimit të organizuar shqiptar “ në të cilën përmbledh një varg akuzash e neverish për UÇK-në.
Habit fakti se për ç’ arsye kryeministri në detyrë, Albin Kurti vihet në mbrojtjen e D. Bashës dhe, ndër të tjera, thotë: “kapitulli apo kreu që i ka shkruar ai nuk ka të bëj ( duhet të bëjë ) me UÇK-në.“ Nëse është kështu, përse kërkoi falje deputeti Basha ?
Por, pas shumë kritikash dhe reagimesh Basha, nga Prekazi, vlerësoi lart UÇK-në: “Është obligim yni ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre.” Po kështu edhe ministri në detyrë F. Peci e mbështet dhe i del zot shkrimit të Bashës madje i jep vetes të drejtë të flasë në emër të të gjithë deputetëve të Vetëvendosjes!
Në qëndrimin e Bashës për UÇK-në vihet re një kundërvënie ekstreme: nga Prekazi, e lavdëron, kurse në shkrimin në zbërbërje, e akuzon dhe shkruan: “UÇK- ja, gjatë rritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës.” Akuzë e rëndë. Tejet e rëndë! Madje i tejkalon edhe epitetet e prokurorëve serbë kundër prijësve të UÇK-së, të cilat i janë dërguar Gjykatës Speciale në Hagë.

E pashprehura e nënkuptueshme

Në konferencën për medie të datës 22. 8. 2025, deputetja Donika Gërvalla, ndër të tjera, tha: “Nuk ka qe nga viti 2018 asnjë kontakt të vetëm qoftë direkt, qoftë indirekt timin me Gjykatën Speciale.” Në këtë konstatim, vrojtuar nga këndi semantik, e vërteta që synohet të mos shprehet, del tërësisht e nënkuptueshme edhe nga formulimi stilistik. Në ligjërimet e gjuhës popullore ekziston ndërtimi sintaksor: “Mos e vet se t’ kallëzon vetë.”
Në këtë kontekst implikatura do të thotë : përpara vitit 2018 kam pasur kontakte me Gjykatën Speciale, por jo nga ky vit e këndej! Kur të mbahen parasysh përmbajtjet e postimeve të deputetes D. Gërvalla të datave 7 shkurt dhe 25 mars të vitit 2020 që i publikoi deputetja Shqipe Mehmeti- Selimi, për R. Selimin, del plotësisht e dëshmuar se ç’ është thënë nga Donika në kontaktet me Gjykatën e Kosovës në Hagë.
Deputetja e Vetëvendosjes – Shqipe Selimi arsyetoi mosvotimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Ajo, me shumë të drejtë, paraqiti në formë të shkruar dy vlerësime në mediet publike të deputetes Gërvalla për njërin nga prijësit e UÇK-së, Rexhep Selimin.
Ajo ( zonja Donika ) kishte shkruar: “Sa gërditshëm me e pa pikërisht R. Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LW nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit.”
Analiza semantike e këtij përpilimi tekstor nuk del të jetë aq e gjerë sa është implikatura e tij. Sipas kriterit të stilistikës linguistike në fillim të tekstit vihet leksema ose shprehja kuptimisht më e rëndësishme për autoren ( autorin ) që në këtë rast është “ Sa gërditshëm.“ Sipas autores Gërvalla, ta shihte R. Selimin duke folur për drejtësinë, ishte aq larg së vërtetës, saqë i vinte të vjellë dhe i krijonte neveri, sepse ai (R. Selimi ) “është njeri i krimeve”!
Në pyetjen e gazetarëve se a është penduar për vlerësimin e R. Selimit si “ pjesë e krimit,“ Donika tha: “ … nuk do të komentoj për asnjërin në Hagë.”
Si është e mundshme që një kryetare e një partie shqiptare (Guxo ), një ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, një bijë e një atdhetari me zulmë gjithëkombëtare, e Jusuf Gërvallës, ta quajë kriminel njërin nga flamurtarët e UÇK- së, njërin nga prijësit e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës; ai, ata, ato nuk janë pjesë të krimeve, por janë pjesë elitare të themelvënësve të Kosovës shtet i pavarur. Vetëm politika antishqiptare kërkon e përdor terma diskriminues dhe antikombëtarë si në shembujt e sjellë!

Drejtuesit e shtetit kritikojnë Gjykatën Kushtetuese!

E nisi kryetari i Kuvendit të osovës, e miratoi kryeministri në detyrë dhe e përfundoi kryetarja e shtetit!
Të gjithë të një mendimi, të një stili për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi nuk pranohet shpallja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga kryetari Dimal Basha pa zgjedhjen e një nënkryetari serb, sepse është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, të cilën, natyrisht, e mbron Gjykata kompetente, porse do të duhej ta zbatonin dhe ta mbronin edhe të parët e shtetit.
Krerët e shtetit, në vend se ta miratonin vendimin e Kushtetueses, befasuan opinionin e shtetit dhe atë ndërkombëtar me një varg kritikash ndesh kësaj Gjykate. Drejtësia duhet të përfillet nga të gjithë, veçanërisht nga prijësit e shtetit.
Vrojtuar nga ky aspekt, Qeveria amerikane, me të drejtë, ishte e para që reagoi ashpër, madje edhe me masë ndëshkuese, ndaj kritikës së kryeministrit në deyrë, Albin Kurti, që ia bëri Gjykatës Kushtetuese vetëm pse e tha të vërtetën: veproi mbi bazën kushtetuese.
Ai ( kryeministri ) do të duhej t’i kishte shprehur mirënjohje dhe assesi kritikë. Për të qenë ironia e përcjellë me sarkazëm, kritika e kryeministrit u tumir dhe u përforcua edhe nga kryetarja e shtetit mbase për ta përgatitur terrenin për ta vazhduar karrierën edhe pas prillit që vjen.
Për këtë kundërvënie të kryeministrit ndaj drejtësisë së shtetit, sikundër u tha nga ambasada e ShBA-së në Prishtinë si dhe nga shumë diplomatë, analistë, politikanë etj. të Amerikës dhe evropianë, ShBA-ja pezulloi dialogun strategjik me Prishtinën, që ishte shumë i favorshëm për Kosovën në disa fusha tejet të rëndësishme si në ato: politike, ekonomike, diplomatike etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh zyrtar i lartë i…