
Pamje ekskluzive: Sherri me grusht që ndodhi dje para Komunës së Prishtinës
Gazeta online Reporteri.net ka siguruar pamje ekskluzive të momentit të përleshjes së ndodhur dje para objektit të Komunës së Prishtinës, pas dështimit të seancës për Buxhetin e vitit të ardhshëm.
Në fragmentin e pamjeve të kamerave të sigurisë që i ka siguruar Reporteri.net zbardhet se si nisi përleshja fizike ku u përfshi edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.
Gjithçka nis me një diskutim të tensionuar mes Kupinës dhe Gramos Begollit – vëllait të dhëndrit të tij Gent Begolli – me asamblistin e LDK-së, Sami Salihu.
ensioni përshkallëzohet kur në konfliktin verbal dhe me shtyrjeje përfshihet edhe një person tjetër që dyshohet se është djali i Kryesuesit Kupina, i cili sulmon me grusht në fytyrë asamblistin e LDK-së. Situata agravon në perleshje fizike, dhe tutje edhe vetë Salihu shihet duke u kundërpërgjigjur me grushte.
Sipas raportimeve dje, si pasojë e kësaj përleshje fizike, Fehmi Kupina që drejton listën zgjedhore “Lidhja për Prishtinën”, ka pësuar lëndime dhe është trajtuar në Emergjencë, ndërsa asamblisti Salihu dhe dy të tjerë janë shoqëruar në Policia.
“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK”, në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, kishte njoftuar dje zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana.
Përleshja fizike ka ndodhur të mërkurën, menjëherë pas mbylljes së seancës për buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Mbetet e paqartë prezenca e Gramos Begollit – ish-konsull i Kosovës në Gjermani, që njëherësh është edhe vëllai i anëtarit të subjektit politik të Fehmi Kupinës, Gent Begolli – dje para hyrjes së objektit të komunës së Prishtinës, ndërkohë që në Kuvendin Komunal po parashihej të zhvillohej seanca për buxhetin e kryeqytetit. Njëjtë sikurse, edhe ajo e personit që shihet në pamjet e siguruara nga gazeta online Reporteri.net duke sulmuar Salihun e LDK-së, e që dyshohet se është djali i Kryesuesit Kupina.