
Pamje nga tërmeti 8.8 ballë në Rusi, cunami përmbyt brigjet e Kamchatkës
Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë i shkallës Rihter ka goditur Gadishullin Kamchatka në lindje të Rusisë, herët në mëngjesin e së mërkurës, duke shkaktuar alarm për cunami dhe evakuime masive përgjatë brigjeve të Paqësorit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS), epiqendra ishte rreth 131 kilometra nga Petropavlovsk-Kamchatsky, ndërsa tërmeti ishte i cekët, në një thellësi prej vetëm 19.3 kilometrash.
Ministria e Emergjencave e Rusisë konfirmoi se valë cunami prej 3-4 metrash kanë goditur disa zona, ndërsa pamje dramatike tregojnë ujë që përmbyt pjesë të qytetit Petropavlovsk. Paralajmërime për cunami janë lëshuar edhe për Japoninë, Alaskën dhe Guam-in, për shkak të pozicionit të rajonit në “Unazën e Zjarrtë të Paqësorit”.
Raportohet për disa të lënduar në Kamchatka, por pa viktima deri tani. Guvernatori rajonal e ka quajtur këtë tërmetin më të fuqishëm në dekada.
Ky rajon është ndër më sizmikët në botë, duke ndarë pllakën e Paqësorit me atë të Amerikës së Veriut. Vetëm 10 ditë më parë, Kamchatka u godit nga një tjetër tërmet me magnitudë 7.4 ballë.