
Pandeli Majko për Bujar Bukoshin: Kosova humbi një protagonist të historisë së saj
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës në ekzil, duke e cilësuar atë si një figurë unike të historisë moderne të vendit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai ka vlerësuar lart rolin dhe personalitetin e Bukoshit, duke theksuar se ai ishte një njeri që tejkaloi veten, një përfaqësues i rrallë i së vërtetës në kohë të vështira dhe plot kundërshti.
Majko ka thënë se “në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës”.
“Bujar Bukoshi ka ndërruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten! Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është! Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vërtetat që një individ mund të duroj”.
“Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një ‘lajmës’ i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën! E shkuara është peshë! Nuk mund të ‘notosh’ po nuk e mbajte mbi shpinë! Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës! Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd! Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shumë se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën! Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar! I lehtë qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Majko në “Facebook”.