Papa Françesku, i pikëlluar për skandalin në kishën franceze
Papa Françesku ka thënë se ishte i pikëlluar që Kisha Katolike në Francë nuk ishte në gjendje të mbronte fëmijët nga abuzimi seksual nga duart e klerit.
Vërejtjet e tij kanë ardhur një ditë pasi një komision francez ka publikuar një raport shterues që ka zbuluar 70 vjet abuzim seksual të fëmijëve në Kishën Katolike të vendit. Ai ka vlerësuar se numri i viktimave të abuzuar nga klerikët dhe njerëzit e lidhur me kishën ishte rreth 330 mijë.
“Dëshiroj t’u shpreh viktimave trishtimin dhe dhimbjen time për traumën që kanë pësuar. Dhe gjithashtu turpi im, turpi ynë, për paaftësinë e Kishës për një kohë të gjatë për t’i vënë ata në qendër të shqetësimeve të saj”, ka thënë Papa në auditorin e tij të përgjithshëm javor.
Papa ka ftuar katolikët në Francë që të marrin përgjegjësitë e tyre për të siguruar që kisha është një shtëpi e sigurt për të gjithë.
Më tutje, Papa i ka bërë thirrje klerit të vazhdojë punën për të siguruar që situata të tilla të mos përsëriten, duke ofruar mbështetjen e tij për priftërinjtë francezë që të përballen me këtë gjyq të vështirë, por të shëndetshëm.
Raporti prej 2 500 faqesh është përgatitur nga një komision i pavarur dhe është botuar të martën, shkruan “DW”.
Raporti në fjalë ka hedhur në dritë mbi mijëra raste të abuzimit seksual të fëmijëve gjatë 70 viteve të fundit që përfshinin 3 000 abuzues dhe qindra mijëra viktima. Rreth 216 000 ishin viktima të klerit francez.
Jean-Marc Sauve, presidenti i komisionit që ka publikuar raportin, ka thënë në një konferencë për media të martën se qëndrimi i kishës ndaj viktimave të saj ishte “indiferencë e thellë mizore”.



