Papa Leoni shpreh ‘shqetësim të thellë’ për Venezuelën, bën thirrje që të mbrohet pavarësia e saj
Papa Leoni ka bërë thirrje që “sovraniteti” i Venezuelës të garantohet, duke thënë se po i ndjek zhvillimet në vendin latino-amerikan me “shqetësim të thellë”, shkruan “CNN”.
Papa i parë i lindur në ShBA, ka folur të dielën në deklaratat e tij të para që nga inkursioni i administratës Trump në Venezuelë, që ka çuar në kapjen e udhëheqësit të vendit.
Leoni, duke folur gjatë lutjes së së dielës “Engjëlli i Zotit” (Angelus), ka thënë: “E mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë mbi çdo konsideratë tjetër”, teksa bëri thirrje për një rrugëtim “drejtësie dhe paqeje, që garanton sovranitetin e vendit, siguron sundimin e ligjit të shkruar në Kushtetutë dhe respekton të drejtat njerëzore dhe civile të të gjithëve, si dhe punon së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqësore bashkëpunimi, stabiliteti dhe harmonie”.
Papa ka apeluar gjithashtu për “më të varfrit që vuajnë për shkak të situatës së vështirë ekonomike” në vend, ekonomia e të cilit është 28 për qind e asaj që ishte në vitin 2013, sipas FMN-së.



