
Papa Leoni XIV bën thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur
Para një audience me mbi 6 mijë gazetarë, Papa Leoni XIV, ka bërë thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur në mbarë botën. Duke folur para gazetarëve që kishin shkuar në Romë për të mbuluar zgjedhjen e tij si papa i parë amerikan, lirinë e fjalës dhe të medias, ai e quajti “dhuratë të çmuar”.
Papa Leoni është pritur me ovacione ndërsa ka hyrë në auditorin e Vatikanit për takimin e tij të parë me përfaqësues të publikut të gjerë. Ai u ka bërë thirrje gazetarëve të përdorin fjalët për paqe, të refuzojnë luftën dhe tu “japin zë” atyre që nuk kanë.
“Kisha sheh te këta dëshmitarë – po mendoj për ata që raportojnë nga lufta edhe duke rrezikuar jetën e tyre, guximin e atyre që mbrojnë dinjitetin, drejtësinë dhe të drejtën e njerëzve për t’u informuar, sepse vetëm njerëzit e informuar mund të bëjnë zgjedhje të lira”, ka thënë ai.
Papa Leoni ka shprehur solidaritet me gazetarët e burgosur anembanë botës. “Vuajtja e këtyre gazetarëve të burgosur sfidon ndërgjegjen e kombeve dhe të komunitetit ndërkombëtar, duke na thirrur të gjithëve që të mbrojmë dhuratën e çmuar të lirisë së fjalës dhe të shtypit”.
Pas fjalimit të shkurtër, ku ka reflektuar mbi fuqinë e fjalës për të bërë mirë, ai ka përshëndetur disa nga gazetarët në rreshtat e parë dhe më pas ka shtrënguar duart me turmën duke kaluar nëpër korridorin qendror. Gazetarët më vonë kanë ndarë disa nga fjalët e pakta që kanë shkëmbyer me të.