
Papa Leoni XIV shtegtarëve ukrainas: e jetoj me ju dhimbjen e një lufte të pakuptimtë
Papa takon në Bazilikën e Shën Pjetrit rreth 4 mijë besimtarë të Kishës Greko-Katolike, në Romë nga Ukraina dhe vende të tjera për shtegtimin e Jubileut dhe e vlerëson fenë e kësaj toke “të fekonduar nga dëshmia e shumë shenjtorëve” e “të vaditur me gjakun e shumë martirëve”.
Papa na nxit të besojmë në Zotin: “Ai është me ne – pohojnë – ndaj jeta do të fitojë mbi vdekjen”. Papa ia beson Zotit “dëshirat e paqes dhe të qetësisë”. Pastaj përshëndet dhe bekon disa nëna të ushtarëve të rënë në front
Afërsi me “Ukrainën e martirizuar”: me fëmijët, të rinjtë, të moshuarit, familjet që vajtojnë të dashurit e tyre. Dhimbje, për të burgosurit dhe për viktimat e “kësaj lufte të pakuptimtë”. Fjalët që Papa Leoni XIV u drejtoi afërsisht 4,000 besimtarëve ukrainas, ardhur në Romë nga vende të ndryshme të botës për shtegtimin e Jubileut të Kishës Katolike Greke Ukrainase, i ngjanin një përqafimi! Papa i takoi sot në mëngjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku grupi i besimtarëve – përfshirë të gjithë ipeshkvijtë e UGC – u mblodh pasi u krye procesioni nga Salla e Palit VI – deri në Portën Shenjte në mëngjes, pas Kryqit të Jubileut. Në orën 12:30 në Shën Pjetër u kremtua Liturgjia Hyjnore, e kryesuar nga Sviatoslav Shevchuk, Kryeipeshkvi i Madh i Kiev-Halyč.
Mos e humbisni fenë dhe shpresën
Për të vulosur mëngjesin intensiv, Papa – i cili bekoi disa nëna ushtarësh të rënë në front – donte t’u jepte përshëndetjen e tij personale këtyre njerëzve, përfaqësues të një populli që po vuan, prej më shumë se tre vjetësh, pasojat e agresionit rus. Përshëndetje e shkurtër, ajo e Papës, për të lavdëruar dhe për të inkurajuar fenë e tyre, “të vënë në provë”.
Shumë prej jush, që nga fillimi i luftës, me siguri e keni pyetur veten: O Zot, pse e gjithë kjo? Ku je? Çfarë duhet të bëjmë për të shpëtuar familjet tona, shtëpitë tona dhe Atdheun tonë?
“Të besosh nuk do të thotë t’i kesh të gjitha përgjigjet, por të kesh besim se Zoti është me ne dhe na dhuron hirin e tij, se Ai do ta shqiptojë fjalën e fundit dhe se jeta do të fitojë mbi vdekjen”, i siguroi Papa. E na nxit edhe të mos e humbasim shpresën, që dëshmohet përmes këtij shtegtimi i cili, nënvizoi ai, “është shenjë e dëshirës për të ripërtërirë fenë e për të forcuar lidhjen dhe bashkimin me Ipeshkvin e Romës”. Shpresa “nuk të zhgënjen”, vëren Papa Leoni, duke kujtuar fjalët e Shën Palit, të zgjedhur nga paraardhësi i tij Françesku për bulën e shpalljes së Jubileut aktual.
Ftesa e Jubileut
Shpresa nuk zhgënjen “sepse lind nga dashuria e Krishtit, derdhur në zemrat tona nga Shpirti Shenjt” – shtoi Leoni XIV. E Jubileu, pohoi ai, “na thërret të bëhemi shtegtarë të kësaj shprese gjatë gjithë jetës sonë, pavarësisht vështirësive të çastit të tanishëm”.
Shtegtimi për në Romë, me kalimin e Portave Shenjte dhe ndalesat tek Varret e Apostujve e të Martirëve, është simbol i këtij udhëtimi të përditshëm, që shtrihet drejt përjetësisë, ku Zoti do të terë çdo lot dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as ankth.
Tokë e vaditur nga gjaku i martirëve
“Feja, të shumdashur, është thesar për t’u ndarë.
“Çdo kohë sjell me vete vështirësi, lodhje e sfida, por edhe mundësi për t’u rritur në fe dhe për t’u lëshuar plotësisht në krahët e Zotit”, siguroi Papa Prevost, duke i falënderuar ata që u larguan nga “toka e bukur” e Ukrainës, “e pasur në besim të krishterë, e fekonduar nga dëshmia ungjillore e kaq shumë shenjtorëve” dhe “e vaditur me gjakun e shumë martirëve që gjatë shekujve, me dhuratën e jetës së tyre, vulosën besnikërinë ndaj Apostullit Pjetër dhe Pasardhësve të tij.
Dëshirat për paqe dhe qetësi
Besimtarëve të martirizuar të vendit të stërmunduar, Papa u tregoi shembullin e Virgjërës Mari e cila “me ‘po’-në e saj të përvuajtur dhe të guximshme, hapi derën e shpengimit të botës” e tani “na siguron se edhe ‘po’-ja jonë, e thjeshtë dhe e sinqertë, mund të bëhet mjet në duart e Zotit për të arritur diçka të madhe.
Të thuash “po” sot, mund të na lejojë të hapim horizonte të reja feje, shprese dhe paqeje, veçanërisht për të gjithë ata që janë në dhimbje.
Papa thotë se ia beson Zotit qëllimet e të gjithë të pranishmëve, “punët e tragjeditë e tyre të përditshme” e, mbi të gjitha, “dëshirat për paqe dhe qetësi”.
Në fund të takimit, pas Lutjes së Engjëllit Tënzot, të intonuar nga imzot Shevchuk dhe të ndjekur nga e gjithë asambleja, Leoni XIV përshëndeti Kardinalin Mykola Bychok, Ipeshkëv i Heparkisë së Shenjtorëve Pjetër e Pal të Melburnit për Katolikët Ukrainas në Australi, në Zelandën e Re dhe në Oqeani, në moshën 45 vjeç, anëtari më i ri i Kolegjit të Kardinajve. Pastaj përshëndeti të gjithë mitropolitët dhe ipeshkvijtë e ulur në rreshtat e parë. Të njëjtët prelatë do të mblidhen, gjatë ditëve në vijim, në Kolegjin Papnor në Romë, për Sinodin e tyre vjetor.