Paqartësi rreth Rregullores për parkingje në Prishtinë, a po detyrohen qytetarët të paguajnë gjoba kundërligjshëm?

26 shtator 2025 | 13:39

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka rikthyer në fuqi Rregulloren për parkingjet në kryeqytet, e cila ka hyrë në zbatim më 10 shtator.

Megjithatë, mungesa e detajeve nga Komuna dhe ndërmarrja “Prishtina Parking” lidhur me përmbajtjen e kësaj rregulloreje ka shkaktuar paqartësi te qytetarët. Nuk dihet ende nëse rregullorja ka mbetur e njëjtë apo janë bërë ndryshime në mënyrën e zbatimit apo përmbajtjen e saj.

Komuna ka bërë të ditur se çdo parkim i paautorizuar dhe pa pagesë do të sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, por nuk janë dhënë detaje shtesë rreth kësaj.

Liridon Salihi, projekt koordinator në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se veprimet e fundit të Komunës së Prishtinës rreth menaxhimit të parkingjeve publike, nuk kanë bazë ligjore.

“Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) si palë që e ka kontestuar Rregulloren e Prishtina Parking rithekson se veprimet e fundit të Komunës së Prishtinës rreth menaxhimit me parkingjet publike në Kryeqytet nuk kanë asnjë bazë ligjore, e rrjedhimisht janë në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe me vetë Rregulloren. Pra, as rritja e çmimit të gjobës për mos pagesë të tarifës së parkingut dhe as dhënia e kompetencës për Drejtorinë e Inspekcionit nuk mund të bëhet pa plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores, i paraprirë nga konsultimi publik dhe respektimi i procedurave ligjore për miratim, shqyrtim të ligjshmërisë dhe hyrjes në fuq”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Salihi ka pohuar se qytetarët po obligohen që kundërligjshëm të paguajnë gjoba. “Përmes njoftimit, Komuna e Prishtinës thekson se do të fillojë implementimi i plotë i Rregullores, por në realitet veprimet e fundit të saj bien në kundërshtim me dispozitat në fuqi të kësaj Rregulloreje e rrjedhimisht po i obligojnë qytetarët që kundërligjshëm të paguajnë gjoba mandatore të lëshuara nga Drejtoria e Inspekcionit”, theksoi Salihu.

Ai ka rikthesuar se gjobat për mos pagesë të parkingut sipas njoftimit të fundit të Komunës janë të kundërligjshme, duke shtuar se “Gjobat, procedura dhe kompetenca për shqiptimin e tyre në rastet kur qytetarët nuk kryejnë pagesën e obligueshme për shfrytëzim të parkingut duhet përcaktohen me Rregullore, gjithmonë duke i respektuar gjetjet e Gjykatës Supreme”.

Ai ka folur edhe për ndikimin që do të ketë te qytetarët kjo rregullore. “Kjo masë ndikon direkt në cenimin e të drejtave të qytetarëve dhe në sigurinë juridike të tyre, duke i obliguar të njëjtit që të paguajnë gjoba të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore”, pohoi ai.

Salihi tha se do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjore për të kundërshtuar veprimet që janë të kundërligjshme. “CSL në vazhdimësi është duke i kushtuar vëmendje zhvillimeve lidhur me parkingjet publike në Kryeqytet. Fillimisht, më 11 shtator 2025, kemi dërguar kërkesë për qasje në dokumentin zyrtar mbi të cilën është vendosur çështja e gjobave dhe kompetenca e Drejtorisë së Inspekcionit. Duke qenë se nga Komuna nuk kemi pranuar përgjigje, më 23 shtator 2025, kemi dorëzuar ankesë kundër Komunës së Prishtinës në Agjencinë për Informim me Privatësi (AIP). CSL i siguron qytetarët që do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për të kundërshtuar veprimet e kundërligjshme përmes së cilave cenohen parimet kushtetuese dhe interesi publik”, nënvizoi ai.

Për funksionalizimin e rregullores, Telegrafi ka dërguar disa pyetje në Prishtina Parking, të cilët thonë se përveç dispozitës 9 e cila është shfuqizuar nga Gjykata Supreme, pjesa tjetër mbetet në fuqi.

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka gjetur pjesërisht shkelje në disa nene të Rregullores apo më saktësisht ka shfuqizuar 9 dispozita të Rregullores për Rregullimin e Parkingjeve në Prishtinë, duke përcaktuar qartë kompetencat dhe mënyrën e zbatimit. Ndërmarrja vazhdimisht ka punuar për rivendosjen e funksionalitetit të Ndërmarrjes, duke u angazhuar të përmbushen të gjitha kërkesat e Gjykatës Supreme. Për të siguruar funksionalitet të plotë dhe përputhje me këtë vendim, është hartuar një marrëveshje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking”. Qëllimi i marrëveshjes është funksionalizimi i Ndërmarrjes duke respektuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, si dhe Rregulloren aktuale e cila përveç 9 dispozitave të shfuqizuara, pjesa tjetër mbetet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se të gjitha informacionet për shfrytëzimin e parkingjeve gjenden në tabelat informuese të vendosura në çdo vendparkim ku Prishtina Parking menaxhon.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju-Jork  është…