Parada ushtarake e Serbisë, një alarm për rajonin dhe aleancën perëndimore

22 shtator 2025 | 10:33

Shkruan: Hisen Berisha

Parada ushtarake e mbajtur në Serbi nuk është thjesht një demonstrim i forcës së saj të brendshme, por një mesazh i qartë politik e gjeostrategjik. Serbia po përpiqet të paraqitet si faktor dominues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e ushqyer me qëllim atmosferën e pasigurisë dhe duke provuar kapacitetet e saj përballë fqinjëve. Kjo shfaqje nuk është e pafajshme – ajo lidhet drejtpërdrejt me ambiciet e saj territoriale ndaj shteteve fqinje, lidhjet e ngushta me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me projektin e saj për t’u rikthyer në rolin e hegjemonit rajonal.

Faktet janë të pamohueshme: Serbia në mënyrë të hapur ushqen pretendime ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, ndërkohë që ende mban nën kontroll Vojvodinën si një entitet gjermano-hungarez, të robëruar brenda saj.
Në kushtetutën e saj, ajo vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të vet, duke minuar çdo përpjekje të paqes dhe të stabilitetit në dialog.
Në Mal të Zi, ka instaluar me skenar të plotë politik një udhëheqje të kontrolluar nga Beogradi, duke e zhveshur vendin nga kursi i tij euroatlantik. Në Bosnje, përmes Dodikut, Beogradi vepron si sponsor dhe nxitës i shkatërrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Në planin ushtarak, Serbia është kthyer në hegjemonin e vetëm të rajonit, me armatime dhe sisteme të avancuara të importuara nga Rusia, Irani dhe Kina. Nga dronët luftarakë përfshi edhe ata kamikaz, tek sistemet raketore, artileria e sofistikuar, aeroplanët luftarak, etj. Beogradi po ndërton një arsenal që nuk i shërben nevojave mbrojtëse të popullit të vet, por frikësimit të fqinjëve dhe shantazhit politik në rajon.
Ky trend duhet të lexohet drejt nga Perëndimi: Serbia është proxy i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, njësoj si Irani për Rusinë në Lindjen e Mesme. Përmes Serbisë, Kremlini ka një levë të fuqishme për të minuar sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të NATO-s në Mesdhe dhe Atlantik.

Një tjetër dimension i paradës është mesazhi rivalizues që Serbia i dërgon boshtit të bashkëpunimit Kroaci–Shqipëri–Kosovë. Ky është një koalicion i natyrshëm, i përforcuar nga anëtarësia e Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO dhe mbështetja që i ofrohet sigurisë së Kosovës. Serbia, me ambicie hegjemoniste, e sheh këtë bashkëpunim si kërcënim direkt ndaj projekteve të saj destabilizuese, dhe përmes paradës ushtarake kërkon ta relativizojë forcën e këtij blloku strategjik që është në linjë të plotë me interesat e NATO-s.

Parada ushtarake, nuk ishte vetëm një shfaqje për konsum të brendshëm, apo presion ndaj revoltës qytetare që kanë për synim rrënimin e regjimit autokratik e kriminal të trashëguar nga Serbia raciste; ajo ishte një mesazh për Uashingtonin, Brukselin dhe NATO-n. Dhe ky mesazh është i qartë: Serbia po bëhet baza operative e Rusisë në Ballkan. Në jug të saj tashmë funksionon një bazë ruse, e cila zyrtarisht paraqitet si qendër humanitare, por që në fakt është pjesë e strukturës së inteligjencës dhe logjistikës ushtarake të Moskës. Nëse ky realitet neglizhohet, rreziku nuk mbetet më vetëm për Kosovën, Malin e Zi apo Bosnjen, por shtrihet përtej – duke prekur drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë gjeostrategjike të NATO-s.

Kjo shfaqje force ka edhe një dimension të brendshëm: frikësimin e qytetarëve serbë. Në një kohë kur Serbia po përballet me protesta të vazhdueshme kundër regjimit të Vuçiqit, parada ushtarake shërben si instrument represiv i brendshëm, për të imponuar frikë dhe për të shpërqendruar opinionin publik nga kriza demokratike. Është vazhdimësi e një tradite komuniste dhe nacionaliste, ku ushtria vihet në shërbim të pushtetit dhe jo të qytetarëve.

Për këtë arsye, heshtja ose neutraliteti i aleancës perëndimore përballë këtij parakalimi ushtarak është i papranueshëm. Nuk është vetëm Kosova që kërcënohet; është e gjithë siguria rajonale dhe stabiliteti evropian që vihet në rrezik. Serbia sot është bërë “Irani i Rusisë në Ballkan”, dhe çdo tolerim ndaj saj është një hap drejt shpërbërjes së rendit euroatlantik në këtë pjesë kritike të kontinentit.

Një element shtesë është vakumi i krijuar nga ndërprerja e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA. Serbia po tenton ta shfrytëzojë këtë moment, duke e paraqitur veten si alternativë për një dialog strategjik me Uashingtonin – një synim që e ka pasur prej kohësh. Parada ushtarake nuk është vetëm një mesazh për fqinjët dhe qytetarët e vet, por edhe një kartë për ta treguar Serbinë si partner të domosdoshëm në sy të SHBA-së dhe NATO-s. Kjo përbën një rrezik serioz: të lejohet që një proxy i Rusisë të marrë rolin e “partnerit strategjik” në Ballkan.

Mesazhi është i qartë: Parada ushtarake e Serbisë nuk duhet parë si spektakël folklorik, por si alarm serioz që kërkon përgjigje të menjëhershme dhe të koordinuar nga SHBA, NATO dhe BE. Nëse ky alarm injorohet, nesër pasojat do të jenë shumë më të kushtueshme – jo vetëm për Ballkanin, por për sigurinë globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Printworks L.L.C. shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me nr.…