
Paralajmërohet ashpërsim i protestave të bizneseve nëse Qeveria nuk reflekton
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva ka paralajmëruar radikalizim të protestave të bizneseve nëse nuk do të ketë reflektim të Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sogojeva është shprehur se për të ardhur deri te një normalizim do të ishte mirë që të shtyhej afati i vendimit, si dhe të kishte dialog të drejtpërdrejtë të bizneseve me ZRrE-në apo edhe me Qeverinë.
“Me dëshirë nuk e kishim mbajtur as këtë protestë edhe mirë do të ishte të reflektonte Qeveria dhe të ndalen protestat. Mirë do të ishte me shty afatin e vendimit dhe me bisedu e me dialogu drejtëpërdrejtë me ZRrE-në apo edhe me Qeverinë për të arritur deri te një normalizim e mos me pas probleme te bizneset. Mirëpo, nëse nuk ka reflektim është shumë normale që të gjitha odat jemi të pajtimit që kjo mos të ndalet edhe frikësohem se këto do të radikalizohen, edhe nëse ndodhë kjo atëherë përgjegjësinë nuk e kemi vetëm ne”, ka thënë ai në Tëvë1, transmeton Periskopi.
Ndryshe, për herë të dytë, rreth 1300 biznese të mërkurën kanë protestuar, në kundërshtim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Ata kërkuan që brenda 10 ditësh vendimi të pezullohet.