Paralajmërohet ngritja e akuzave në Gjykatën Speciale për Kosovën

24 shkurt 2020 | 18:04

Prokurori i Specializuar ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se e ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë përgjegjëse për hetimin e krimeve që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se kryetarja e Dhomave të Specializuara ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake “për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe derisa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Speciale – me emrin Dhomat e Specializuara – funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

Deri më tash nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Feronikelit ende nuk e ka emëruar trajnerin e…