
Paraqitja e mirë me favoriten e Evropianit nuk shpërblehet me pikë
Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka luajtur ndeshje shumë të fortë të martën pasdite në Telavi të Gjeorgjisë.
Ndonëse paraqitja ishte cilësore dhe loja e hapur deri në fund, Kombëtarja jonë mbeti pa pikë në përballje me Sllovakinë. Sllovakia është favorite e Evropianit B në Gjeorgji.
Vajzat tona kanë luftuar nga fillimi e deri në fund, dhe përkundër humbjes, paraqitja e tyre ishte e mirë. Sidomos angazhimi dhe loja në mbrojtje jep shpresë për rezultate të mira në vazhdim të kampionatit evropian.
Sllovakia fitoi 26:22, por u shkëput në më shumë se një gol vetëm në minutat e fundit.
Kapitenia Sara Gjergjaj ishte më e mira te Kombëtarja jonë. Ajo i realizoi shtatë gola nga tetë tentime dhe e organizoi lojën e Kosovës.
Gjashtë gola i kishte Arona Krasniqi, ndërsa pesë i shënoi Arjeta Imeraj. Martina Bibaj i shënoi tri gola. Alina Shabani bëri nëntë pritje, ndërsa Albina Pllana tri.
Të mërkurën Kombëtarja jonë luan ndaj nikoqires, Gjeorgjisë.