Parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim
Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira dhe reshje të shpeshta lokale shiu. Reshje paksa më intensive priten në perëndim e sidomos në veriperëndim të vendit. Pasdite vonë sasi e vogël e ajrit të ftohtë që po sjellë stuhi bore në rajon depërton në sasi të vogël në verilindje dhe veri ku pritet të ketë shi të ngrirë dhe shqotë e borë, por vetëm për pak kohë, ndërsa ajri i ngrohtë nga Mesdheu me erëra juglindore shtynë ajrin e ftohtë përsëri në vendet fqinje veriore.
Temperaturat pritet të jenë të larta sepse Kosova do të jetë në pjesën e ngrohtë të ciklonit mesdhetar dhe maksimalet pritet të arrijnë deri në 13 apo 14 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje e rrebeshe lokale shiu. Në Maqedoni vende-vende mund të ketë intervale të shkurtra kohore me diell. Në Shqipëri priten edhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshje intensive priten në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi.
Cikloni mesdhetar do të jetë shumë aktiv edhe ditëve të para të javës së re dhe si zakonisht te ne do të mbretërojnë temperaturat që nuk favorizojnë reshjet e borës, pra pritet të kemi reshje të shpeshta shiu të karakterit lokal. Në vendet fqinje veriore do të ketë stuhi bore dhe reshje të dendura bore që do të krijojnë shtresa nga 20 cm.(Serbi, Kroaci, Slloveni) deri në 1 metër trashësi (Bosnjë). dhe gjatë tërë kësaj kohe ne do të jemi nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore dhe erërave jugore.
Fronti i ftohtë me ajrin e ftohtë polar në Kosovë mund të depërtojë të mërkurën pasdite apo vonë në mbrëmje dhe reshjet e shiut do të shndërrohen në borë, por sasia e reshjeve do të varet nga momenti i depërtimit të ajrit të ftohtë polar dhe fuqia e ciklonit mesdhetar në ato çaste./MeteoBallkan



