Parathënia e librit “Një jetë, shumë histori”

09 shkurt 2026 | 08:59

Adelina Beluli

Ky libër lind nga një nevojë e thellë për t’i dhënë zë një gruaje që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit shqip në Kumanovë dhe Likovë. Jeta dhe veprimtaria e mësueses Regaibe Osmani nuk janë vetëm kujtime familjare. Ato janë pasuri e kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e një epoke që u ndërtua mbi sakrifica të heshtura, mbi përkushtim të palëkundur dhe mbi besimin e patjetërsueshëm në vlerën e dijes.

Ky rrëfim është shkruar me kujdes, me dashuri dhe me përgjegjësi. Ai vjen si rezultat i një procesi të gjatë kërkimi, mbledhjeje materialesh, dëshmish, dokumentesh dhe rrëfimesh autentike të cilat ruhen në arkivin familjar si gurë të çmuar të historisë. Çdo kapitull i këtij libri përpiqet ta rikthejë me besnikëri atmosferën e kohëve të vështira, realitetin social të pasluftës, gëzimet e vogla të një jete të ndërtuar me mund, dhimbjet e padukshme dhe fitoret morale që e përshkuan jetën e mësueses Regaibe.

Ky botim nuk synon veç të dokumentojë një jetë. Ai synon ta shndërrojë këtë jetë në model frymëzimi për brezat që do të vijnë. Mësuesja Regaibe u bë simbol i rezistencës së qetë, i punës së ndershme dhe i besimit se drita e dijes mund të ndriçojë edhe kohët më të zymta. Ajo i shndërroi vështirësitë e fëmijërisë në forcë, pengesat në mundësi dhe paragjykimet në motivim.

Në këtë libër rrëfehet më shumë se një jetë, rrëfehet një epokë e tërë, e përshkuar nga sfida, heshtje dhe shpresa. Është rrëfimi i një gruaje, një mësueseje, një dëshmitareje të gjallë dhe aktive të historisë shqiptare në Kumanovë e Likovë, që me jetën dhe veprën e saj ndriçoi një udhë në kohë të errëta. Ky libër nuk është vetëm kujtim për Regaibe Osmanin, por një monument i fjalës, dijes dhe përkushtimit të heshtur që ndryshon botë.

Nëpërmjet faqeve të këtij libri lexuesi ndjek një udhëtim të rrallë. Kujtimet e një gruaje që sfidoi rrethana të kohës, që pa zhurmë, por me qëndrueshmëri shndërroi pengesat në ura dhe frikën në forcë për të tjerët.

Regaibe Osmani, mësuese dhe heroinë e padukshme e arsimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, u bë simbol i emancipimit dhe i përparimit në një kohë kur fjala e gruas nuk dëgjohej dhe drita e dijes duhej të fshihej pas perdes së paragjykimeve.

Si një nga mësueset e para në komunën e Kumanovës dhe Likovës, ajo nuk ishte veç një figurë arsimtareje, ajo ishte një pararendëse e heshtur e një revolucioni kulturor, që ndihmoi të shpërbëheshin mendësitë e ashpra të patriarkalizmit, duke hapur rrugën për gra dhe vajza që më parë nuk kishin as guximin të ëndërronin. Përmes përkushtimit të saj ndaj arsimit, ajo mbolli shpresë në një terren të vështirë, ku çdo fjalë e shkruar, çdo fletore dhe çdo bankë shkolle ishte një betejë e fituar për të ardhmen.

Ky libër është më shumë se një përshkrim: është një dokument i gjallë i shpirtit të një kohe dhe i zërit të një gruaje që, ndonëse shpesh në hije, ishte forca e padukshme që lëvizi breza të tërë përpara.

Përshkrimi i jetës së saj sjell në vëmendje jo veç rrugëtimin personal, por edhe ndryshimet historike, sociale dhe kulturore që ajo i jetoi dhe ndikoi. Libri ofron një pasqyrë të qartë të asaj që ndodh kur një grua nuk pranon të rrijë në heshtje, por zgjedh të flasë përmes dijes, shembullit dhe dashurisë për popullin e saj.

Për të gjithë ata që kërkojnë inspirim, për të rinjtë që duan t’i kuptojnë rrënjët e së tashmes, për mësuesit që kërkojnë dritë në punën e tyre, edhe për çdo grua që ndien se ka diçka për të thënë në një botë që shpesh hesht, ky libër është një udhërrëfyes, një kujtim dhe një thirrje për guxim, për qëndresë dhe për dashurinë e palëkundur ndaj dijes dhe njeriut.

Si autore, e ndiej të domosdoshme të theksoj se ky libër lindi jo si detyrim moral ndaj një figure të dashur familjare, por edhe si amanet për historinë e arsimit shqip.

Regaibe Osmani u përket të gjithë atyre që e duan dijen, që besojnë në fuqinë e shkollës dhe që e shohin mësuesinë si mision. Me këtë libër përpiqem ta ruaj dhe ta përcjell këtë trashëgimi te gjeneratat e reja.

Uroj që lexuesi ta ndiejë të njëjtën ngrohtësi, të njëjtin respekt dhe të njëjtën admirim që më shoqëruan gjatë përgatitjes së këtij botimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Demush Bajrami Recension për librin “Një jetë, shumë…