Parkingu nëntokësor në kryeqytet do të kushtojë 15 milionë euro

23 korrik 2018 | 15:23

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar aktivitetin e radhës me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me qëllim kryesor të njoftimit të bizneseve anëtare të Odës Amerikane me planet e komunës në lidhje me zhvillimin e qytetit, si dhe me të arriturat e deritanishme në sektor të ndryshëm të ekonomisë.

Në adresimin e tij ndaj përfaqësuesve të bizneseve prezentë, Shpend Ahmeti, ka theksuar se Komuna e Prishtinës është bërë iniciatore si dhe zbatuese e projekteve më të ndryshme të cilat kanë për qëllim përmirësimin e aspektit social dhe atij ligjor.  Ahmeti theks të veçantë i ka kushtuar projektit për parkingun nëntokësor në vlerë prej 12 deri në 15 milionë euro, i cili do të zhvillohet si rezultat i partneritetit publiko-privat.

Ai ka njoftuar se ky projekt përveçse e forcon bashkëpunimin me sektorin privat, ai gjithashtu ndikon drejtpërdrejtë dhe në zvogëlimin e numrit të automjeteve të cilat qarkullojnë në brendësi të qytetit të cilat përveç se ndikojnë në ambient edhe u pamundësojnë qytetarëve qarkullimin e lirë në këmbë.

Krahas investimeve në infrastrukturë, Ahmeti ka njoftuar të pranishmit me planet kryesore të cilat janë në fokus për tri vitet e ardhshme që përfshijnë zhvillimin e hartës zonale e cila parasheh krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillim të qytetit, zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të shërbimeve si bartës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, si dhe ndërtimin e pesë (5) shkollave fillore në lagje të ndryshme në Prishtinë për të cilat infrastruktura fizike do të zhvillohet në konceptin e partneriteteve publiko-private.

Ahmeti gjithashtu ka njoftuar se ngritja e kapaciteteve në sektorin e shërbimeve është e domosdoshme duke marrë parasysh rritjen e lartë të kërkesës për shërbime.

Në lidhje me aspektin ligjor, Ahmeti gjithashtu ka theksuar nevojën për ndërmarrjen e hapave më konkret në mbajtjen e rendit, ku përmendi dhe iniciativën për të konsideruar monitorimin e komunikacionit përmes kamerave dhe pajisjeve të tjera të cilat do të pamundësonin parkimet ilegale, si dhe vozitjen e automjeteve me shpejtësi mbi normave të lejuara.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK),…