Parlamenti Evropian më 19 tetor voton rezolutën për raportet Kosovë-Serbi
Parlamenti Evropian (PE) do të votojë rezolutën për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë në seancën e dytë plenare të tetorit në Strasburg më 19 tetor.
Debati për dokumentin rreth zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-Serbi është mbajtur në seancën e së martës, një ditë pasi socialdemokratët nga Parlamenti Evropian kërkuan që debati të shndërrohet në rezolutë.
Në një debat të ashpër, eurodeputetët kanë kërkuar qetësimin e situatës dhe ndëshkimin e Serbisë pas agresionit në Banjskë të Zveçanit ku është vrarë polici Afrim Bunjaku.
Masat e propozuara ndaj Serbisë nisin nga pezullimi i takimeve në nivelin më të lartë, deri te pezullimi i plotë i financimit nga programi IPA3 dhe projektet e mëdha të infrastrukturës.
Draft teksti i rezolutës do të publikohet ndërkohë.



