Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, vlerëson përparimin drejt BE-së
Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën rezolutën për Shqipërinë, ku vlerësohet angazhimi i vendit në procesin e integrimit evropian dhe ambicia e Tiranës për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027.
Në dokument, eurodeputetët përgëzojnë progresin e Shqipërisë në hapjen e kapitujve negociues dhe theksojnë rëndësinë e vazhdimit të reformave, si dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.
Rezoluta nënvizon se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mbetet e lartë dhe se përparimi i Shqipërisë në rrugën evropiane kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Parlamenti Evropian merr parasysh edhe objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare zbatimin e plotë të reformave dhe legjislacionit të miratuar.
Në rezolutë përmenden edhe zgjedhjet e vitit 2025 dhe shqetësimet e ngritura lidhur me procesin zgjedhor. Po ashtu, shprehet shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues, që sipas dokumentit mund të ndikojnë në mbikëqyrjen parlamentare, besimin e qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Eurodeputetët kërkojnë një rol më të fuqishëm të parlamentit shqiptar në kontrollin e ekzekutivit, më shumë transparencë në proceset legjislative dhe konsultime më të gjera me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura.
“Progresi në procesin e integrimit në BE duhet të vazhdojë pa cenuar cilësinë dhe përfshirjen e reformave”, thuhet në rezolutë, ku theksohet rëndësia e forcimit të kapaciteteve të institucioneve dhe komisioneve parlamentare.
Rezoluta rikujton se rruga evropiane e Shqipërisë kërkon jo vetëm ritëm në reforma, por edhe zbatim të qëndrueshëm të tyre.



