
Parlamenti i Hungarisë miraton tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale
Parlamenti hungarez ka miratuar të martën propozimin për tërheqjen e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), me 134 vota pro, 37 kundër dhe 7 abstenime.
Iniciativa u paraqit nga zëvendëskryeministri Zsolt Semjen.
Sipas arsyetimit të qeverisë, GJNP është shndërruar në një aktor politik, raporton REL.
Portali 24.hu raportoi në korrik të vitit të kaluar se pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm të GJNP-së për lëshimin e një fletarrestimi ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të veprimeve ushtarake në Gazë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte ngarkuar tre ministra të kabinetit të tij që të shqyrtonin pasojat e një tërheqjeje të mundshme nga Gjykata – si vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që do ta bënte një hap të tillë.
Sipas Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë, qeveria e Orbanit e interpretoi si sinjal pozitiv deklaratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, më 5 shkurt, kur ky i fundit paralajmëroi sanksione ndaj GJNP-së pas fletarrestimit për Netanyahun.
Pas lëshimit të urdhrit ndaj Netanyahut, Orban akuzoi GJNP-në se “po ndërhyn për qëllime politike në një konflikt në zhvillim”, dhe tha se ky vendim e minon të drejtën ndërkombëtare.
Ai deklaroi se do ta kundërshtonte urdhrin dhe do ta ftonte Netanyahun për vizitë në Hungari, duke i garantuar se nuk do të arrestohej.
Sipas Qeverisë hungareze, kjo ishte e mundur sepse Parlamenti hungarez nuk e kishte ratifikuar kurrë statutin e GJNP-së, prandaj ajo nuk kishte fuqi juridike në Hungari dhe nuk mund të zbatohej asnjë arrestim në bazë të saj.
Më 25 shkurt, ministri Gergely Gulyas tha se Qeveria po shqyrtonte seriozisht tërheqjen nga GJNP-ja, e cila kishte pasur edhe një gjykatës hungarez në përbërje deri në fund të mandatit të tij, vitin e kaluar.
Ai tha se Gjykata, që dikur ishte një nismë e respektueshme, tani ishte “shndërruar në një aktor politik”.
Më 1 prill, ministri i Drejtësisë, Bence Tuzson, kishte paraqitur në një takim të ambasadorëve, të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, skicën e procesit të tërheqjes.
Dy ditë më pas, Gulyas njoftoi publikisht në rrjetet sociale se vendimi për t’u tërhequr ishte marrë.
Ky vendim u konfirmua më 7 maj, me votimin përfundimtar të Parlamentit.