Partitë e tjera po konfrontohen mes vete, s’po përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së

06 shkurt 2021 | 11:28

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka komentuar aktivitetet e deritashme të partive politike. Ai ka deklaruar se prej shpalljes së zgjedhjeve është vërejtur një siguri e sforcuar e Lëvizjes Vetëvendosje se do të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka deklaruar se partitë e tjera më shumë po konfrontohen mes vete sesa që po përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së.

“Ajo çka po ndodh prej se më në fund u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme, tregon një siguri të sforcuar të Lëvizjes Vetëvendosje se do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet, të cilat po i quan referendum, kundrejt pasigurisë të partive të tjera që më shumë konfrontohen mes vete sesa që përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së”, ka thënë Maliqi.

Ai ka mbrojtur sondazhin e “Qendrës Gani Bobi”, i cili LV-në e nxjerr fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit. “Unë jam kyçur edhe vetë me një sondazh në javën e fundit të janarit me ekipin e ‘Qendrës Gani Bobi’ dhe mund të thirrem në rezultatet që i kemi publikuar të martën në portalin e ri ‘Albanian Post’ si burim i besueshëm për epilogun e 14 shkurtit. Sipas këtij sondazhi, Lëvizja Vetëvendosje ka përparësi bindëse, 51,3 për qind të të anketuarve do të votojnë për këtë subjekt. Subjektet rivale, qoftë nëse garojnë vetëm ose në koalicione, do ta kenë përkrahjen dukshëm më të ulët. Votën pro LDK-së e kanë deklaruar 15.5 për qind, pro PDK-së 13.2 për qind dhe pro AAK-së 5.5 për qind të të anketuarve”, ka thënë ai.

Maliqi ka bërë me dije se fituesi i këtyre zgjedhjeve do të ketë vështirë realizimin e premtimeve të mëdha. “Unë e kam përshtypjen se premtimet e mëdha që po i japin fituesit e parapaguar, që thonë se gara zhvillohet vetëm për vendin e dytë, kurse fituesi dihet, nuk do ta kenë lehtë t’i realizojnë premtimet, sidomos ato që kanë të bëjnë me dialogun dhe marrëveshjen finale që do ta sigurojnë njohjen e ndërsjellë dhe ulëse për Kosovën në OKB”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe diskursin politik të partive politike gjatë parafushatës. “Në frontin tjetër, gjuha edhe më e ashpër dëgjohet në konfrontimin rreth kontingjentit të votave në favor të luftës çlirimtare për të cilën në garë janë PDK-ja, Nisma dhe AAK-ja. Akuzat e ndërsjella dhe gjuha denigruese në vend të bashkëpunimit, në përgjithësi ka efekt kundërproduktiv, sidomos të votuesit e ri”, ka deklaruar Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, megjithëse zyrtarisht fushata zgjedhore ka filluar të martën, partitë politike kanë zhvilluar aktivitete elektorale që një kohë. Si i keni parë këto aktivitete të tyre?
Maliqi: Intensiteti i fushatës nuk ka qenë sikur për zgjedhjet e rregullta, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për faktin se krejt çfarë ka ndodhur në politikën e Kosovës gjatë një viti ka qenë e lidhur me përsëritjen e zgjedhjeve, pra një fushatë e zgjatur. Ajo çfarë po ndodh prej se më në fund u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme, tregon siguri të sforcuar të Lëvizjes Vetëvendosje se do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet, të cilat po i quan referendum, kundrejt pasigurisë të partive tjera që më shumë konfrontohen mes vete sesa që përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së.

“Epoka e re”: Parafushata është karakterizuar edhe me gjuhë denigruese të partive politike ndaj konkurrenteve të tyre politikë. Cilat janë pritjet tuaja për këtë fushatë? Partitë, do ta ashpërsojnë diskursin politik?
Maliqi: Po, janë, të them ashtu, dy fronte konfrontimesh me gjuhë të ashpërsuar. Nga njëra anë LDK-ja i ka edhe më tej hesapet e papastruara me LV-në, pasi që saga e “qeverisë së shpresës” e vitit 2019 përfundoi turpshëm dhe shkaktoi largimin e Vjosa Osmanit në listën e LV-së. Osmani, si duket, ka gjasa që t’i shkëputë shumë vota LDK-së. As leksioni i Podujevës, ku në zgjedhjet lokale LDK-ja humbi bindshëm bastionin e vet më të madh, nuk u kuptua seriozisht nga Isa Mustafa dhe garda e vjetër e LDK-së, që t’i japin më shumë hapësirë si dhe drejtimin e partisë asaj vale të re të politikanëve që i mbetën luajalë LDK-së, dhe që do ta mund ta ndalte rrjedhjen e madhe të votës që tërheq Vjosa Osmani. Në frontin tjetër, gjuha edhe më e ashpër dëgjohet në konfrontimin rreth kontingjentit të votave në favor të luftës çlirimtare për të cilën në garë janë PDK-ja, Nisma dhe AAK-ja. Akuzat e ndërsjella dhe gjuha denigruese në vend të bashkëpunimit, në përgjithësi, ka efekt kundërproduktiv, sidomos te votuesit e rinj.

“Epoka e re”: Deri më tani janë publikuar shumë sondazhe që tregojnë për rezultatin e 14 shkurtit. Cilat janë parashikimet tuaja për 14 shkurt?
Maliqi: Unë jam kyçur edhe vetë me një sondazh në javën e fundit të janarit me ekipin e “Qendrës Gani Bobi” dhe mund të thirrem në rezultatet që i kemi publikuar të martën në portalin e ri “Albanian Post” si burim i besueshëm për epilogun e 14 shkurtit. Sipas këtij sondazhi, Lëvizja Vetëvendosje! ka përparësi bindëse, 51,3 për qind të të anketuarve do të votojnë për këtë subjekt. Subjektet rivale, qoftë nëse garojnë vetëm ose në koalicione, do ta kenë përkrahjen dukshëm më të ulët. Votën pro LDK-së e kanë deklaruar 15.5 për qind, pro PDK-së 13.2 për qind dhe pro AAK-së 5.5 për qind të të anketuarve.
Shumëkush nuk e pëlqeu dhe nuk beson në fitoren kaq bindëse të LV-së. Të them të drejtën, nuk e kam pëlqyer as unë, mirëpo kam besim të plotë në punën e anketuesve, sepse nuk kemi gjetur asnjë lëshim dhe jokorrektësi në mbledhjen e të dhënave. Por, janë dy elemente shtesë për sprovë më 14 shkurt që edhe vota reale të jetë siç e kanë deklaruar të anketuarit. Çdo anketë i ka momentet e të panjohurës që mund ta kushtëzojnë huqjen, nëse kemi gabuar ne në projektimin e saktë të mostrës, sepse nuk duhet harruar se kemi përzgjedhur 1 030 respondentë që të flasin në emër të një milion votuesve. Momenti tjetër kritik për të gjitha anketat edhe të agjencive më të njohura dhe më profesionale botërore, është prirja e disa kategorive të respondentëve që ta fshehin votën e tyre nga arsyet e paparashikueshme.

“Epoka e re”: Kosovën e presin shumë sfida. A mendoni se këto zgjedhje do të sjellin zgjidhje për Kosovën?
Maliqi: Vetëm pasi që të numërohen votat do të mund të bëhen analizat më të sakta se a do të sjellin këto zgjedhje, zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova. Unë e kam përshtypjen se premtimet e mëdha që po i japin fituesit e parapaguar, që thonë se gara zhvillohet vetëm për vendin e dytë, kurse fituesi dihet, nuk do ta kenë lehtë t’i realizojnë premtimet, sidomos ato që kanë të bëjnë me dialogun dhe marrëveshjen finale që do ta sigurojnë njohjen e ndërsjellë dhe ulëse për Kosovën në OKB.

“Epoka e re”: Në këto zgjedhje, përveç kandidatëve për kryeministër, kemi edhe kandidatë për president. Besoni se legjislatura që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve do të mund ta zgjedhë edhe presidentin?
Maliqi: Zgjedhjet janë për Kuvendin dhe për deputetët. Kuvendi besoj se do ta ketë kapacitetin që ta zgjedhë kryeministrin, por meqë nuk e kemi presidentin me kapacitet të plotë dhe po përfundon periudha e zëvendëspresidentes, ky Kuvend duhet ta zgjedhë edhe presidentin e ri, e që nuk mund ta dimë a do të jetë e mundshme. Nëse jo, do të kemi edhe një cikël zgjedhjesh gjatë verës ose në vjeshtë.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, i…